Lidhje

Ilir Zherka: deklarata e senatorit Kerry për çështjet shqiptare në përgjithësi dhe për Kosovën në veçanti, ishte mjaft e fuqishme - 2004-08-11


Ketu ne Shtetet e Bashkuara mbeten më pak se tre muaj deri ne zgjedhjet presidenciale te nëntorit dhe dy kandidatet kryesore kanë ndermarre fushata në pjesë të ndryshme te vendit. Tradicionalisht, dhe keshtu po ndodh edhe kete here, kandidatët synojnë të bëjnë për vete një kategori votuesish sic jane grupet e ndryshme etnike qe jetojne ne Amerike, midis tyre edhe shqiptarët. Në kuadër të këtyre përpjekjeve, Senatori nga shteti Massatchusets, John Kerry, bëri një deklaratë në mbështetje të vetvendosjes për popullin e Kosovës. Administrata e presidentit Bush ka caktuar mesin e vitit 2005 si afat për të bere një rishikim të gjendjes në Kosovë për hapjen e bisedimeve për statusin perfundimtar. Lidhur me planet dhe premtimet e zotit Kerry, kolegu yne Shaqir Salihu intervistoi nje nga shqiptaro-amerikanët që është angazhuar në fushatën presidenciale të demokrateve, Ilir Zherka. Ai shërben si këshilltar për fushatën e senatorit Kerry dhe thotë se deklarata që bëri kandidati demokrat në lidhje me çështjet shqiptare në përgjithësi dhe për Kosovën në veçanti, ishte mjaft e fuqishme.

“Në këtë deklaratë thuheshin një numër gjërash shumë të rëndësishme. Në radhë të parë thuhej ze John Kerry pranon faktin që shqiptarët janë ndër njerëzit më pro amerikanë në botë, dhe kjo është plotësisht e vërtetë. Ai pohon gjithashtu se populli i Kosovës duhet të vendosë vetë të ardhmen e tij dhe mënyrën se si do të qeveriset. Kjo është në kontrast të drejtpërdrejtë me deklaratën e kohëve të fundit të presidentit serb. Ka rëndësi fakti që deklarata e zotit Kerry erdhi në një moment kritik. Ai e bën të qartë se dëshiron të shohë zgjidhjen e çështjes së statusit të Kosovës, se ai mbështet vetvendosjen për popullin e Kosovës dhe se është i gatshëm të riangazhohet në këtë proces.”

Zoti Zherka mohoi njoftimet se zoti Kerry ka bërë një deklaratë mbi pakicën greke në Shqipëri.

“Për këtë tha ai ka patur një farë paqartësie. Instituti amerikano-helenik i kishte kërkuar fushatës së zotit Kerry të bënte një deklaratë por kjo u refuzua. Pra John Kerry nuk ka bërë deklaratë mbi pakicën greke në Shqipëri.”

Zoti Zherka thotë se John Kerry ka qenë mbështetës i fortë i ndërhyrjes amerikane në Ballkan.

“Ai mbështeti luftën për çlirimin e Kosovës dhe ka si këshilltarë njerëz që janë miq të fuqishëm të shqiptaro-amerikanëve si ish sekretarja e shtetit Madeleine Albright dhe James Rubin. Richard Holbrooke gjithashtu është shumë i angazhuar në këtë çështje, dhe natyrisht edhe gjenerali në pension Wesley Clark. Pra mendoj se nëse John Kerry zgjidhet president, ne do të shikojmë një politikë amerikane shumë më të angazhuar në Ballkan dhe që mbështet zgjidhjen e statusit përfundimtar të Kosovës.”

Seanca e dëshmive për Shqipërinë që u organizua muajin e kaluar nga Komisioni amerikan i Helsinkit tregoi qartë se Kongresi amerikan mund të ndikojë ndjeshëm në përpjekjet për t’i dhënë shtytje luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në Shqipëri si dhe për të sensibilizuar politikanët e të gjitha krahëve mbi rëndësinë që do të kenë zgjedhjet e ardhëshme. Zoti Zherka mendon se në këtë drejtim mund të ndihmojë edhe komuniteti shqiptar, por në fund të fundit, thotë ai, përgjegjësia kryesore bie mbi vetë shqiptarët.

“Mendoj se komuniteti shqiptar i Amerikës është i angazhuar shumë aktivisht për të ndihmuar në zgjidhjen e disa prej këtyre problemeve përmes Kongresit dhe Departamentit të Shtetit. Por në fund të fundit, janë vetë shqiptarët, jo vetëm në Shqipëri por kudo në Ballkan, janë ata drejtpërdrejt përgjegjës për të ardhmen e tyre. Pra, ajo që synojmë të bëjmë ne këtu në Amerikë është t’i inkurajojmë njerëzit në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni të angazhohen për të garantuar se qeveritë do t’u përgjigjen nevojave të popullit. Ky është edhe thelbi i demokracisë.”

Zoti Zherka thotë se diaspora do të vazhdojë të luajë rolin e saj në Uashington, në Nju Jork dhe në OKB për të dhënë kontibutin e vet.

//ze//

XS
SM
MD
LG