Lidhje

Udhëheqës botërorë mbështesin idenë e shpalljes së armpushimit gjatë Lojrave Olimpike - 2004-08-14


Një numër udhëheqësish botërorë që po ndjekin Lojrat Olimpike të Athinës kanë shprehur mbështetje për idenë e ringjalljes së traditës së Olimpit të lashtë për të deklaruar armëpushim për sa kohë që zhvillohen lojrat. Qëllimi është të krijohen shanse, qoftë edhe për periudha të shkurtra kohe, që ndihmojnë për zgjidhjen paqësore të konflikteve.

Në Greqinë e lashtë, njerëzit hiqnin dorë nga konfliket çdo katër vjet, shtatë ditë përpara fillimit deri shtatë ditë pas mbarimit të lojrave. Kjo i lejonte atletët, artistët dhe shikuesit që të shkonin në Olimp, vendi ku zhvilloheshin lojrat, të merrnin pjesë në garat apo në festimet dhe të ktheheshin në vendet e tyre.

Gjatë 12 viteve të kaluara, Komiteti Olimpik Ndërkombëtar është përpjekur ta ringjallë këtë ide dhe ka siguruar mbështetjen e Kombeve të Bashkuara, të cilat në disa raste u kanë bërë thirrje vendeve anëtare që ta respektojnë armëpushimin olimpik.

Në vitin 1994, një armëpushim i veçantë, i cili lejoi atletët nga ish Jugosllavia e përfshirë në konflikt të merrnin pjesë në Lojrat Olimpike Dimërore të Norvegjisë vazhdoi deri në mbarimin e këtyre Lojrave.

Komiteti Olimpik Ndërkombëtar citon gjithashtu shembullin e Koresë së Veriut dhe të Jugut që marshuan së bashku nën të njëjtin flamur si në Lojrat e Sidney-t ashtu edhe në ceremoninë e hapjes të premten në Athinë. Komiteti Olimpik thotë se ky është një shembull se si Lojrat mund të frymëzojnë ripajtimin qoftë edhe për pak kohë midis armiqve të vjetër.

Disa dhjetra udhëheqës që po ndjekin lojrat e Athinës, midis tyre kryeministri britanik, Tony Blair, premtuan mbështetje ndaj idesë së armëpushimit, por vetëm si individë, jo si përfaqësues të vendeve të tyre.

Presidenti polak, Alexander Kvashnjevski, një tjetër nënshkrues i dokumentit, thotë se është e rëndësishme të punosh për paqen, por problemet reale si terrorizmi dhe shkeljet e të drejtave të njeriut, ndonjëherë i pengojnë përpjekje të tilla dhe duhen luftuar me forcë.

“Është e nevojshme të veprosh, jo vetëm të bësh thirrje. Dhe mendoj se në disa vende të botës neve na duhet të veprojmë, të luftojmë, sepse pa një angazhim të tillë është e pamundur të zgjidhen problemet. Nëse shikon Afrikën, nëse shikon Ruandën dhe Sudanin, mund të shikosh se sa e nevojshme është të jesh i angazhuar dhe jo vetëm të vëzhgosh e të veprosh pasi ka marrë fund çdo gjë,” tha zoti Kvashnjezski.

Në vitin 1994, komuniteti ndërkombëtar u kritikua ashpër nga organizatat jo-qeveritare dhe ato të të drejtave të njeriut sepse qëndroi duarkryq në një kohë kur më tepër se 800 mijë njerëz humbnin jetën gjatë masakrave etnike 100 ditëshe në Ruandë. Kombet e Bashkuara thonë se rajoni Darfur i Sudanit është bërë kriza më e rëndë humanitare në botë dhe se deri në 50 mijë njerëz janë vrarë nga luftimet apo nga sëmundjet dhe uria që lidhen me konfliktet.

I pyetur se si pjesmarrja e vendit të tij në koalicionin e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara mund të pajtohet me mbështetjen e tij ndaj idesë së armëpushimit olimpik, zoti Kvashnjevski thotë se angazhimi i Polonisë në Irak synon të ndihmojë për të vendosur paqen dhe qendrueshmërinë në Irak.

XS
SM
MD
LG