Lidhje

SHBA: Kandidatët për president dhe vajzat e tyre - 2004-08-15


Kandidatët për president gjatë fushatave të mëparshme janë përpjekur t’i mbajnë fëmijët e tyre larg jetës publike, por këtë radhë është ndryshe. Kanë mbetur më pak se tre muaj deri në ditën e zgjedhjeve dhe të dy kandidatët po përpiqen të tërheqin sa më shumë votues. Ata mendojnë se vajzat e tyre mund t’i ndihmojnë në këtë drejtim.

Vajzat e presidentit Bush dhe senatorit Kerry i sheh ngado këto ditë. Barbara dhe Jenna Bush ishin në numrin e gushtit të revistës Vogue dhe dhanë intervistën e tyre të parë, ndërsa Alexandra dhe Vanessa Kerry folën në Kuvendin e Partisë Demokrate në Boston muajin e kaluar. Vanessa Kerry është shkëputur përkohësisht nga studimet në Mjekësi dhe ka zhvilluar fushatë me të atin që kur po përgatitej konferenca partiake në Iowa.

Dy binjaket Bush qëndruan larg fushatës për zgjedhjet e vitit 2000, por këtë radhë duan të jenë pjesë e saj. Jenna Bush tha në intervistë se do të pendohej nëse nuk merrte pjesë në fushatën e këtij viti për rizgjedhjet e presidentit Bush.

Autori i librit “Të gjithë fëmijët e presidentit” Doug Wead, thotë se vajzat e djemtë e kandidatëve nuk kanë ndonjë ndikim mbi zgjedhjet:

”Logjikisht fëmijët nuk sjellin ndonjë ndikim, por në një garë të fortë do element merr rëndësi.”

Zoti Wead, i cili punonte për administratën e mëparshme Bush, thotë se fëmijët i bëjnë kandidatët më njerëzorë dhe i ndihmojnë votuesit t’i shohin ata si baballarë apo si bashkëshortë, jo thjesht si republikanë apo demokratë. Alexandra Kerry, e cila synon të bëhet producente filmash, arriti të krijonte një lidhje emocionale me votuesit kur u tregoi atyre se si babai i saj kishte shpëtuar një ndër kafshët shtëpiake:

Vëmendja e publikut mund t’ua kufizojë jetën private vajzave. Tre vjet më parë njoftimet e medias u përqëndruan mbi binjaket Bush, të cilat kishin pirë alkohol megjithëse nuk kishin mbushur moshën e lejueshme. Nganjëherë dritat e kamerave bëhen të padurueshme, siç u bë e qartë nga reagimi i Jenna Bush, e cila përqeshte fotografët. Por zoti Wead thotë se kjo vetëm e shton interesin:

”Në 30 ditët e fundit të fushatës fëmijët bëhen si yjet e rokut. E pashë këtë në jetë kur po udhëtoja me George Bushin. Të gjithë veprimtarët politikë nuk duan të dalin në fotografi me guvernatorin e një shteti apo me një senator. Edhe sikur aktori Paul Newman të ishte aty pranë, askush nuk do t’i kërkonte autografin. Të gjithë donin t’i afroheshin fëmijëve apo vetë kandidatit.”

Vajzat e senatorit Kerry po e shfrytëzojnë plotësisht popullaritetin e ri duke folur për çështje që mbështet babai i tyre: ”Ne po përpiqemi të jemi sa më të përqëndruar, duke folur për kujdesin shëndetësor për të gjithë amerikanët, arsimin duke filluar nga moshat e vogla dhe për ta bërë atdheun më të fuqishëm”, thotë Vanessa.

Zoti Weid thotë se qëllimi përfundimtar është që fëmija i kandidatit të tërheqë mbështetjen e publikut në mesazhin e shprehur. Pikërisht këtë po bëjnë vajzat e senatorit Kerry.

Ai thotë se është e vështirë të llogaritet ndikimi që do të kenë vajzat në këto zgjedhje. Por është e sigurt se fushata do të ketë ndikim të thellë mbi jetët e tyre.

XS
SM
MD
LG