Lidhje

Ekspozitë mbi viktimat e luftës në Irak - 2004-08-16


Pamjet e luftës në Irak, ndërtesat e shkatërruara, makinat e djegura janë vazhdimisht të pranishme në televizionin amerikan, por rrallë shihen pamje nga dëmet në njerëz. Për këtë arsye Komiteti i Shërbimit i Miqve Amerikanë, një shoqatë e përkushtuar ndaj drejtësisë shoqërore dhe paqes po u sjell amerikanëve momente nga kjo tregjedi në një ekspozitë që u hap ditët e fundit në Amherst të shtetit Masaçusets.

Objekti kryesor i ekspozitës janë 900 palë çizme ushtarake, të rreshtuara në bar, secila palë me emrin, moshën dhe vendlindjen e një ushtari amerikan që u vra në Irak. Me vazhdimin e luftimeve dhe shtimin e numrit të viktimave, shtohet edhe numri i çizmeve në ekspozitë. Pranë rreshtave të çizmeve ka rreshta me 1000 palë këpucë civile; secila palë përfaqëson 10 civilë irakianë të vrarë që pas ndërhyrjes ushtarake amerikane në vend vitin e kaluar:

“Është një pasqyrë vizuale e statistikave që dëgjojmë në media,” thotë Abby Jinx e organizatës Sage, bashkë-sponsorizuese e ekspozitës në Amherst.

“Dëgjojmë numra. Dëgjojmë se 908 ushtarë u vranë në luftë, dëgjojmë se mijëra irakianë kanë vdekur. Por kur i rreshton çizmet çdo gjë bëhet më reale. Kur sheh këpucë fëmijësh, kur sheh lidhëzat me ngjyra, është ndryshe,” thotë Abby.

Çizmet dhe këpucët transportohen me furgon nga një qytet në tjetrin dhe ekspozita shëtitëse funksionon me ndihmën e një numri vullnetarësh nga komunitetet. Susan Theberge e organizatës Sage thotë se kjo është më tepër një veprimtari e komuniteteve se sa një protestë kundër luftës:

“Ka shumë gjëra të tmerrshme në botë, dhe shumë persona ndjehen të pazotë për të vepruar. Por një ekspozitë e tillë na jep mundësi të bëjmë diçka. Kjo e bashkon komunitetin, hap një dialog ndërmjet veprimtarëve të paqes dhe zyrtarëve të drejtësisë,” thotë zonja Theberge.

Ekspozita tërheq vizitorë nga më të ndryshmit. Jennifer Alonzo ishte në qytetin Amherst për të vënë në skenë një pjesë teatrale dhe pati rastin të vizitonte edhe ekspozitën. Ajo tregon se para fillimit të luftës kishte marrë pjesë në shumë protesta, por kur luftimet filluan të shkaktojnë viktima reagimi i saj ndryshoi:

“Në fillim motivi im ishte politika. Por duke parë se njerëz shumë më të rinj se unë po vdisnin pa pasur rastin të vazhdojnë studimet ose të gëzojnë jetën, e kuptova se sa e tmerrshme ishte kjo që po ndodhte,” thotë Jennifer.

Em Doren, i cili sapo mbaroi studimet universitare, thotë se një ekspozitë e tillë e qetë është më e efektshme për të përçuar mesazhin sesa protestat e zhurmshme:

“Diçka e tillë tërheq edhe njerëz që nuk dalin në protesta. Ata ndalin të shohin dhe fillojnë t’i bëjnë pyetje vetes. Pra njerëz që s’e kanë lodhur mendjen për këto çështje më parë, fillojnë të angazhohen,” thotë zoti Doren.

Para se ekspozita të përgatitej për të shkuar në Vermont, Komiteti i Shërbimit i Miqve Amerikanë shtoi edhe një palë tjetër çizmesh për ushtarin Jeff Lucey, i cili vrau veten muajin e kaluar pasi u kthye nga Iraku. Familja e tij tregon se ai ishte traumatizuar nga shërbimi dhe ishte i tmerruar se mund ta dërgonin përsëri. Ekspozita filloi udhëtimet nëpër Amerikë në janar dhe do të vazhdojë udhëtimin nëpër Amerikë deri në fund të vitit dhe organizatorët pohojnë me keqardhje se edhe numri i objekteve do të vazhdojë të shtohet.

XS
SM
MD
LG