Lidhje

Analistët: Ripozicionimi i trupave amerikane do t’i bëjë ato më elastike - 2004-08-17


Zyrtarë të lartë ushtarakë të Shteteve të Bashkuara thonë se plani i Presidentit Bush për të ripozicionuar fuqinë ushtarake amerikane jashtë vendit synon t’i bëjë forcat ushtarake të përgjigjen më mirë ndaj konflikteve të mundshëm dhe ndaj kërcënimit të terrorizmit. Për këtë qëllim, siç njofton korrespondenti ynë në Pentagon Nick Simeone, dhjetra mijra trupa amerikane do të kthehen nga Evropa në Shtetet e Bashkuara dhe qindra objekte ushtarake amerikane jashtë vendit do të mbyllen. Ekspertët e mbrojtjes e quajnë këtë riorganizimi më i madh ushtarak që bëjnë Shtetet e Bashkuara qysh nga mbarimi i luftë së ftohtë.

Aktualisht, më tepër se 230 mijë trupa amerikane janë dislokuar në baza të ndryshme jashtë vendit - shumica në Gjermani, Japoni dhe Korenë e Jugut. Tani, më tepër se një dekadë pas mbarimit të Luftës së Ftohtë, Pentagoni ka në plan të kthejë në vend rreth 70 mijë prej tyre së bashku me 100 mijë pjestarë të familjeve të tyre dhe punonjës civilë.

Qëllimi është të përmirësohen aftësitë ushtarake të Shteteve të Bashkuara për t’ju përgjigjur sfidave të reja që përbëjnë terrorizmi dhe konfliktet rajonale si dhe për t’u larguar nga pozicionimet e dikurshme strategjike të Luftës së Ftohtë që synonin të frenonin rrezikun sovjetik.

"Ata po përpiqen t’i ripozicionojnë forcat në një mënyrë të tillë që ato të jenë më elastike dhe të kundërpërgjen më me shpejtësi ndaj rajoneve të rëndësishme që mund të shndërrohen në pika të nxehta kudo në botë, " thotë John Robinson, kryeredaktor i gazetës "Defense Daily".

"Shumë nga këto gjëra duhet të ishin bërë kohë më parë. Për shembull, për ç’arësye duhet që marina amerikane të ketë një shtab në Londër? Ne nuk jetojmë më në Luftën e Ftohtë. Nuk ka asnjë kuptim që marina amerikane të ketë një shtab të rëndësishëm në Londër. Ai duhet të vendoset diku tjetër, më afër Mesdheut, për shembull në Napoli, ku edhe po dërgohet."

Gjermania është një nga ato vende ku Pentagoni synon të zëvendësojë mijra trupa, që përbëjnë dy divizione të ushtrisë me një brigatë shumë më të vogël e cila të mbështetet më pak në pajisjet e vjetëruara dhe që të jetë e aftë t’u përgjigjet konflikteve në Evropë e më gjerë me shpejtësi më të madhe.

Sekretari i Mbrojtjes, Donald Rumsfeld ka kohë që argumenton se aftësitë janë më të rëndësishme se sa numri i trupave, pra që në konfliktet e ardhshëm, forcat e reagimit të shpejtë të pajisura me teknologjinë e shekullit të 21 do të jenë më të rëndësishme se sa numri i trupave të diskoluara.

Ja ç’thotë John Robinson i gazetës "Defense Daily":

"Doktrina Rumsfeld parashikon marrëdhënie me shumë nga këto vende, ku forcat mund të dërgohen për 30 deri në 60 ditë, dhe pasi të bëjnë manovra ose të ndërmarrin ndonjë mision urgjent, ato të mund të kthehen përsëri në vend."

Analistët e mbrojtjes thonë se një çështje tjetër që lidhet me vendimet për dislokimet e trupave amerikane janë kufizimet që vendosin qeveritë e ndryshme ndaj lëvizjeve dhe veprimeve të forcave amerikane. Gjatë kthimit nga vizita në Rusi, Sekretari Rumsfeld komentoi për gazetarët rreth riorganizimeve të reja ushtarake.

"Ne i duam forcat tona ushtarake të jenë atje ku ato duhet të jenë. Ne i duam ato të jenë në ato vende me të cilat ne kemi marrëdhëniet e duhura ligjore për statusin e këtyre forcave."

Trupat e para nga Gjermania nuk pritet të kthehen në Shtetet e Bashkuara përpara fundit të vitit 2005 dhe krejt riorganizimi i forcave mund të kërkojë më shumë se një dekadë për të përfunduar.

Një zyrtar i lartë i mbrojtjes vuri në dukje se Shtetet e Bashkuara kanë jashtë vendit më shumë se 5 mijë baza dhe objekte të tjera dhe se shumë prej tyre janë të mbetura nga Lufta e Ftohtë, pra nuk janë më të nevojshme.//ii

XS
SM
MD
LG