Lidhje

Popullsia e botës do të rritet me shpejtësi gjatë dekadave të ardhëshme - 2004-08-18


Zyra e të Dhënave të Popullatës parashikon se deri nga mesi i këtij shekulli, popullata e botës do të arrijë në 9 miliard e 300 milion banorë, një rritje prej 45 përqind në krahasim me popullsinë e sotme që vlerësohet në rreth 6 miliard e 400 milion. Kjo, megjithë faktin që ritmet e lindjeve për grua kanë rënë, nga më shumë se 5 fëmijë në vitet 50 në 2,8 fëmijë sot. Këto ritme parashikohet të bien deri në 2,5 fëmijë për grua në vitet e ardhëshme. Por ku do të ndodhë rritja më e madhe e popullatës? Demografi Carl Haub, shpjegon:

"Për vendet e zhvilluara, perspektiva është 0 përqind rritje e popullatës. Dhe nuk duhet harruar se i vetmi vend i industrializuar që në fakt ka rritje popullate është Amerika dhe është pikërisht kjo rritje që nuk po lejon uljen e mëtejshme të ritmeve në këto vende. E gjithë rritja e popullatës së botës, rreth 99 përqind është e përqendruar tek vendet në zhvillim"

Për të ilustruar këtë, zoti Haub sjell si shembull dy vende me prirje tepër të ndryshme popullate: Nigerinë dhe Japoninë. Ai thotë se sot, të dy këta vende kanë popullatë të ngjashme: Nigeria ka 137 milion ndërsa ndërsa Japonia 128 milion.

"Por nëse shikojmë prirjet, rezulton se në të ardhmen Nigeria do të ketë 3 herë më shumë banorë se sa Japonia".

Në vitin 2050, popullsia e Nigerisë pritet të arrijë në 307 milion, ndërsa Japonia do të ketë vetëm 100 million, një rënie prej 22 përqind.

Zoti Haub thotë se edhe në botën në zhvillim, ritmet e lindjeve janë shumë të ndryshme - Tailanda ka mesatarisht 1,7 lindje për grua ndërsa Nigeri 8. Ai shpjegon se ka mundësi që ritme të tilla të pësojnë rënie në Afrikë, ashtu siç ka ndodhur edhe në vende të tjera. Por ai e pranon se është e pamundur të thuhet se sa me shpejtësi do të bien këto ritme.

Ai është i sigurt për një gjë: se diferenca e moshës mesatare midis botës së industrializuar dhe dhe asaj në zhvillim do të vazhdojë të rritet, ndërkohë që popullatat në Evropë dhe në Amerikën e Veriut përgjithësisht do të plaken ndërsa vendet në zhvillim do të rinohen më shumë nga kjo pikpamje. Kjo, thotë ai, do të ketë pasoja të rëndësishme ekonomike për të ardhmen.

"Popullata po pëson ndryshime të mëdha jo thjesht në kuptimin e sasisë por të moshës. Popullata e re sot po u përket gjithnjë e më shumë vendeve në zhvillim. Këta janë njerëzit që ngrejnë familje dhe që blejnë më shumë. Prandaj mendoj se atje do të; jenë edhe tregjet më të mëdhenj të së ardhmes".

Carl Haub thotë se kur është fjala për prirjet e popullatës, Shtetet e Bashkuara janë në një pozitë të lakmueshme krahasuar me vendet e tjera të industrializuara. Ai thotë se ndërsa Japonia dhe Gjermania janë të shqetësuara për ritmet e lindjeve, prej mesatarisht 1,8, të cilat nuk garantojnë zëvendësimin e popullatës, Shtetet e Bashkuara kanë ritme të qendueshme prej 2 lindje për grua që siguron vazhdimësinë. Veç kësaj, Shtetet e Bashkuara kanë avantazhin se në vend hyn rregullisht një popullatë e re në moshë pune siç janë 1 milion e 300 mijë imigrantët që vijnë këtu çdo vit. Pritet që deri në vitin 2050, popullsia e Amerikës të arrijë në më shumë se 400 milion banorë.

XS
SM
MD
LG