Lidhje

Lojrat Olimpike kthehen në vendin e lashtë ku ato janë zhvilluar para 2800 vjetësh - 2004-08-19


Irina Korzhanenko e Rusisë ishte atletja e parë që fiton medaljen e artë në Olimpinë e Lashtë, duke e hedhur gjylen 21 metra e 6 centimetra. Ukrainasi Yuriy Bilonog fitoi medaljen e artë për meshkuj me distancën 21 metra e 16 centimetra.

Park Sung Hun e Koresë së Jugut mbrojti epërsinë e vendit të saj në gjuajtjen me hark duke fituar medaljen e artë në Stadiumin Panathinaiko - ku janë zhvilluar lojrat e para olimpike moderne në vitin 1896.

Ndërkaq, sportdashësve grekë iu desh të përballonin tërheqjen e dy yjeve greke të atletikës, Kosta Kenteris dhe Katerina Thanaou, të cilët u tërhoqën në mes të hetimeve të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar nëse ata duhet të përjashtoheshin nga lojrat pasi nuk u paraqitën për kontrollin e detyrueshëm për substanca te ndaluara.

Në not, Shtetet e Bashkuara thyen rekordin më të vjetër botëror të këtij sporti. Amerika fitoi medaljen e artë të stafetës 4 herë 200 metra stil i lirë për femra duke vendosur një rekord të ri botëror me 7 minuta, 53 sekonda e 42 të qindtat.

Japonezi Kosuke Kitajima fitoi medaljen e artë në 200 metra stil bretkosë. Tri-herë kampionia evropiane, Otylia Jedrzejczak e Polonisë, fitoi garën e 200 metrave stil flutur.

Jodie Henry e Australisë vendosi një rekord të ri botëror në 100 metra stil i lirë për femra me 53 sekonda e 52 të qindtat në një garë të fortë në gjysmëfinale. Pieter van den Hoongenband i Holandës mbrojti medaljen e artë që ka fituar në 100 metra stil i lirë për meshkuj në lojrat e Sidnejt në vitin 2000.

Paul Hamm i Shteteve të Bashkuara e mori veten pas rezultatit mjaft të dobët në kërcimin e kalit dhe fitoi medaljen e artë në rezultatin e përgjithshëm të disiplinave të gjimnastikës me vetëm 12 të mijëtat e një pike.

Valentina Vezzali e Italisë fitoi medaljen artë në skermë.

Në ngritje peshash, femra: Nataiya Skakun e Ukrainës fitoi medaljen e artë në peshën 63 kilogramë, edhe pse Hanna Batsiushka e Bjellorusisë theu rekordin botëror me 115 kilogram në stilin e shkëputjes. Të dyja sportistet arritën të ngrinin të njëjtën peshë, por ukrainasja fitoi meqenëse peshonte më pak se rivalja. Për meshkuj, Zhang Gouzhen i Kinës fitoi medaljen e artë për peshën deri në 69 kilogramë.

Çiklizëm, hollandezja Leontian Zijlaard van Moorsel fitoi garën individuale për femra, ndërkohë që Tyler Hamilton i Shteteve të Bashkuara fitoi garën individuale për meshkujt.

Japonezi Masae Ueno dhe gjeorgjiani Zurab Zviadauri fituan medaljen e artë në xhudo, ndërkohë që medalje të artë në qitje u fituan nga bullgarja Maria Grozdeva dhe amerikania Kimberlyn Rhode.

Në kanotazh, Tony Estanguet i Francës fitoi slallomnin me kanoe për meshkuj dhe sllovakia Elena Kaliska fitoi sllallomnin me kayak për femra.

Gjermania fitoi medaljen e artë në hipizëm në garën ekipore, pasi fillimisht u shpall fituese - titull që i kaloi Francës kur kjo e fundit protestoi kundër rezultatit të parë. Por gjyqtarët vendosën t’ia kalonin përfundimisht Gjermanisë medaljen e artë pas apelimit të vendimit. Franca u nda me medaljen e argjendtë. Kalorësja gjermane, Bettina Hoy, fitoi medaljen e artë në konkurrimet individuale.

Skuadra e futbollistëve japonezë mundi Ganën 1-0, dhe Paraguai mundi Italinë po 1-0. Kështu Paraguai doli në krye të Grupit B dhe do të ndeshet me Korenë e Jugut në çerekfinale. Italia do të luajë me Malin, ndërkohë që Gana eleminohet përfundimisht.

Skuadra irakiane e futbollit humbi për herë të parë në këto lojra. Në këtë ndeshje, Maroku shënoi 2 gola dhe pësoi 1. Megjithatë, dy fitore të mëparshme të irakianëve u garantojnë atyre kalimin në çerekfinale, ku do të luajnë kundër Australisë. Kosta Rika eleminoi përfundimisht Portugalinë duke e mundur atë 4-2 dhe do të ndeshet në çerekfinale me Argjentinën. //az//

XS
SM
MD
LG