Lidhje

Shqipëri: Rindizen debatet mbi KQZ-në dhe listat e pasakta zgjedhore - 2004-08-19


Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirian Celibashi, shprehu sot shqetësim për vonesat që, sipas tij, janë shkaktuar në përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme. Ai i vlerësoi si “e ashtuquajtura reforma zgjedhore” hapat e ndërmarra deri tani për përmirësimin e procesit zgjedhor, duke theksuar se është humbur një kohë mjaft e çmuar, sidomos për 2 çështje; atë për përgatitjen e listave të votuesve dhe ndërtimin e komisioneve më të ulta zgjedhore.

Zoti Celibashi u bëri thirrje subjekteve shtetërore dhe politike që të fillojnë sa më parë nga puna për rregullimin e listave të votuesve dhe komisioneve, pavarësisht nga debatat për KQZ-në dhe tema të tjera.

“Urgjentisht duhet që çështja e listës së zgjedhësve dhe ajo e organizimit dhe funksionimit të komisioneve të niveleve të dyta e të treta të marrin zgjidhje sa më shpejt të jetë e mundur. Për çdo çështje tjetër si KQZ apo procedura të ankimimeve dhe apelimeve; ato mund të rikonsiderohen edhe më vonë”, tha zoti Celibashi.

Kryetari i KQZ-së shtoi se vonesat me listat dhe komisionet zgjedhore do ta shtojnë në fund pasigurinë në plotësimin e standarteve perëndimore për zgjedhjet. Zoti Celibashi tha se debatet e disa partive për balancimin e KQZ, nuk janë temë e një përparësie kryesore dhe nuk mbështeten në rekomandime të vëzhguesve ndërkombëtarë.

“Në rekomandimet e raportit përfundimtar të OSBE/ODIHR si edhe në rekomandimet e përbashkëta të OSBE/ODIHR dhe Komisionit të Venecias nuk ka asnjë rekomandim në lidhje me të ashtuquajturin “balancim të KQZ”. Kush e vë këtë në dyshim, dokumentet dhe raportet janë; mund t’i gjejë kudo, t’i lexojë dhe të verifikojë nëse ka ose jo rekomandim”, tha zoti Celibashi.

KQZ-ja u vu sërish në qendër të kritikave të partive opozitare si një komision i njëanshëm, ku ata “nuk kanë besim nëse aty administrohet një proces i rregullt zgjedhjesh”. Partia Demokratike ka kërkuar me këmbëngulje një balancim politik të anëtarëve të KQZ-së pasi, sipas përfaqësuesve të saj, raportet e tyre aktuale janë në favor të Partisë Socialiste në pushtet dhe kjo është parë edhe nga vendimet që KQZ-ja ka marrë në zgjedhjet e kaluara.

XS
SM
MD
LG