Lidhje

Sa efektiv është riorganizimi i operacioneve të zbulimit në Shtetet  e Bashkuara? - 2004-08-19


Kongresi amerikan dhe Shtëpia e Bardhë po punojnë aktualisht për të ndërtuar kornizën e organizimit të operacioneve të zbulimit e cila e vë theksin tek përdorimi sa më efektiv i mjeteve financiare. Por disa analistë thonë se përqendrimi tek aspekti organizativ i zbulimit mund të mos sjellë rezultatin e dëshiruar. Zllatica Hoke sjell hollësi të tjera.

Shtetet e Bashkuara kanë aparatin më të aftë dhe më të sofistikuar të zbulimit në botë. Por Jay Farrar, analist ushtarak në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare në Uashington thotë se ky është njëkohësisht edhe zbulimi më i kushtueshëm në botë.

"Shtetet e Bashkuara shpenzojnë rreth 40 miliard dollarë në vit për zbulimin. Këto para shpërndahen midis një numri agjencish, duke përfshirë CIA-n, e cila ka 13 mijë ose 14 mijë njerëz. Departamenti i Mbrojtjes, në departamentet e tij të ndryshëm të zbulimit ka ndoshta 75-80 mijë njerëz. Janë gjithashtu një numër agjencish të tjera brenda qeverisë, si në Departamentin e Shtetit, FBI, Departamentin e Thesarit dhe në disa organizma më të vegjël."

Zoti Farrar vlerëson se komuniteti amerikan i zbulimit ka midis 120 mijë deri në 140 mijë njerëz, duke përfshirë ekspertë të teknologjisë së survejimit dhe të telekomunikimit, deshifrues kodesh, analistë dhe të tjerë. Burimet teknike dhe njerëzore kanë bërë të mundur që Shtetet e Bashkuara të grumbullojnë informacione zbulimi kudo në botë. Megjithë këtë aftësi të jashtëzakonshme, zbulimi amerikan ka bërë parashikime jo të sakta në një numër rastesh. "Një prej tyre ishte ai i vitit 1950, kur Shtetet e Bashkuara hynë në luftën e Koresë pasi parashikuan se kinezët në asnjë mënyrë nuk mund të hynin në luftë."

Anna Nelson, profesore e historisë në Universitetin American të Uashingtonit, thotë:

"Kinezët hynë në luftë dhe kjo e bëri atë një luftë shumë më të gjatë, pra kjo flet për një dështim të zbulimit. Një tjetër dështim ishte fakti se nuk u parashikua që India do të bënte provën e një bombe atomike. Ata nuk e kishin parashikuar këtë gjë megjithë fotografitë satelitore dhe teknologjitë e tjera."

Shumë amerikanë mendojnë se katastrofa e 11 shtatorit do të ishte evituar nëse zbulimi amerikan do të kishte bërë punën e tij. Një komision i Kongresit amerikan që hetoi mbi sulmet terroriste arriti në konkluzionin se udhëheqësit amerikanë nuk e kishin kuptuar se sa i madh ishte kërcënimi i al-Qaidës. Raporti i komisionit përmendëte gjithashtu mungesën e koordinimit midis strukturave të ndryshme të qeverisë, sidomos midis agjencive të shumta të zbulimit. Në rekomandimet e komisionit kërkohej ngritja e një qendre kombëtare të antiterrorizmit të kryesuar nga një drejtor në nivel kabineti për të përqendruar në një dorë të vetme të gjitha aktivitetet e zbulimit.

Por shumë analistë, duke përfshirë zotin Charles Pena, drejtor i studimeve për politikpn e mbrojtjes në Institutin Cato të Uashingtonit, nuk mendojnë se kjo është një ide dhe aq e mirë.

"Ekziston një arsye e fortë se përse ne kemi 15 agjenci të veçanta dhe përse ato nuk janë të konsoliduara në dorën e një njeriu të vetëm. Dhe kjo arësye është se këto agjenci kanë pikpamje konkurruese gjë që është pozitive nga pikpamja e zbulimit, sepse kështu mund të rrihen mendimet e ndryshme pasi zbulimi nuk është shkencë ekzakte."

Zyrtarë të Pengatonit qysh tani kanë shprehur shqetësimin se një post i tillë në rang kabineti me juridiksion mbi Agjencinë e Zbulimit të Mbrojtjes dhe agjenci të tjera të ngjashme mund të krijojë një shtresë të re burokracie që do të pengonte kalimin e shpejtë të informacionit të zbulimit tek ushtarët në fushën e luftës.

Gjithashtu, thotë Jay Farrar i Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare, riorganizimi i strukturës së zbulimit nuk përbën garanci se në të ardhmen nuk do të ketë sulme të tjera terroriste.

“Merrni rastin e Spanjës, ku al-Qaida ndërmori një sulm kundër trenave të udhëtarëve. Si është e mundur që zbulimi spanjoll dështoi? Po kështu edhe rasti i Lojrave Olimpike të vitit 1972, ku terroristët palestinezë morën disa izraelitë peng. Pra, asnjë agjenci zbulimi nuk është e pagabueshme."

Disa analistë thonë se në fakt, zbulimi amerikan ka bërë të dështojnë shumë sulme të mundëshme por këto suksese nuk janë publikuar për hir të ruajtjes së sekretit.

Shumica e tyre mendojnë se raporti i komisionit 11 shtatori është një start i mirë për një debat në shkallë kombëtare rreth mënyrave të përmirësimit të zbulimit, por ata këshillojnë që të mos arrihet në konkluzione të shpejtuara.

XS
SM
MD
LG