Lidhje

Athinë: Shtetet e Bashkuara kryesojnë për numrin e medaljeve të fituara - 2004-08-19


Të enjten në Lojrat Olimpike në Athinë vazhduan konkurimet për 15 medalje të arta. Kina mori një medalje tjetër me fitoren e Zhang Ning në garat e badbingtonit për femra. Deri tani Kina ka gjithsej 12 medalje të arta, ndërsa Shtetet e Bashkuara kanë fituar dhjetë dhe Japonia tetë. Por në përgjithësi Shtetet e Bashkuara kryesojnë me 29 medalje gjithsej, të pasuara nga Kina me 25 dhe Australia me 16.

Në gjimnastikë 25-vjeçarja Svetlana Khorkina e Rusisë mund të kurorëzohet sot si e para konkurente mbi moshën 19 vjeç që fiton medaljen e artë në gjimtastikë për femra që nga Lojrat Olimpike të qytetit të Meksikës të vitit 1968. Ndërkaq, konkurimet e meshkujve në gjimnastikë përfunduan të mërkurën me fitoren sa të merituar aq edhe të papritur të amerikanit Paul Hamm:

Fitorja e Paulit ishte një ndër triumfet më mahnitëse të Olimpikeve. Pas një konkurimi të dështuar në kërcimin e kaluçit, dukej se kampioni aktual botëror në gjimnastikë për meshkuj, u kishte dhënë lamtumirën ambicjeve për medalje të artë olimpike.

“Ishte një moment i ngarkuar me emocione. Pas gabimit në kërcim, mendova se nuk kisha shans as për medalje bronxi, e aq më pak të diskutohej medalja e artë”.

Por ai u ngrit përsëri dhe shpalosi para gjyqtarëve aftësitë e tij më të mira si gjimnast, si në konkurimin në hekur ashtu edhe në paralele.

“Kisha ëndërruar një mijë herë se do të fitoja medaljen olimpike, por nuk e kisha imagjinuar se do të fitoja pas një gabimi të tillë”.

Kjo medalje historike kishte diferencën më të vogël të pikëve nga vendi i dytë dhe shënon të parën herë që një gjimnast amerikan fiton medaljen e artë olimpike në konkurimet individuale.

Një tjetër medalje për ekipin olimpik amerikan, këtë radhë për ekipin e stafetës në 4 herë 200 metra stil i lirë për femra. Ekipi amerikan theu me rezultatin 7 minuta 53 sekonda e 42 të qindtat rekordin më të vjetër botëror në këtë garë të vendosur në vitin 1987 nga ekipi i Gjermanisë Lindore.

Ndërkaq Michael Phelps theu rekordin olimpik në garat eliminatore për 200 metra stil i përzier. Sot ai konkuron në këtë garë për medaljen e tij të katërt të artë.

XS
SM
MD
LG