Lidhje

OBSH heq nga lista tre lloj ilaçesh kundër sidës të prodhuara nga kompani jo shumë të njohura - 2004-08-20


Organizata Botërore e Shëndetësisë ka hequr nga lista e saj e ilaçeve tre lloj medikamentesh të prodhuara nga kompani jo shumë të njohura. Është hera e dytë brenda tre muajsh që Organizata Botërore e Shëndetësisë ndërmerr një hap të tillë.

Ilaçet e hequra nga lista e Organizatës Botërore të Shëndetësisë janë ato që përdoren nga të prekurit me HIV për të parandaluar përhapjen e kësaj sëmundje dhe prodhohen nga kompania indiane, Ranbaxy Laboratories. Në muajin maj edhe dy lloj ilaçesh të tjera kundër HIV-it të prodhuara nga kompania indiane Cipa, u hoqën nga lista. Në të dy rastet, gjatë provave inspektorët gjetën probleme rreth aftësisë së ilaçit për tu futur në rrjetin e qarkullimit të gjakut të pacientëve.

Doktoresha që mbështet përdorimin e ilaçeve që prodhohen nga kompani dytësore, Rachel Cohen e grupit humanitar, Mjekët pa Kufij, thotë se është e rëndësishme të thuhet se Organizata Botërore e Shëndetësisë gjeti probleme me kompanitë që testojnë ilaçet për kompanitë Ranbaxy dhe Cipla, dhe jo me kompanitë që i prodhojnë ato.

“Problemi qëndron në dokumente. Nuk ka një provë të qartë që tregon se ilaçi ka defekte.”

Megjithatë, veprimi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë i ka detyruar Mjekët pa Kufij dhe grupe të tjera që bazohen tek lista e OKB-së që t’i zëvendësojnë këto ilaçe. Administrata e presidentit Bush e ka përqendruar vëmendjen tek sistemi i miratimit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, dhe kryesisht tek çmimet e ulëta të ilaçve kundër HIV-it të prodhura nga kompani të dytësore, duke refuzuar që t’i blejë ato për programin global multi miliard dollarësh kundër Hivit. Kritikët thonë se kjo politikë i favorizon prodhuesit e njohur të ilaçeve me qendër në Amerikë. Por i ngrakuari me punë në zyrën amerikane të kordinimit për SIDË-n, Joseph O’Neill, thotë se heqja nga lista e ilaçve nga Organizta Botërore e Shëndetësisë veçse përforcon pozicionin e administratës amerikane.

“Është një rast i mirë që tregon shqetësimin tonë se sa e rëndësishme është që të kemi një kontroll të vazhdueshëm të ilaçeve para se t’i blejmë ato.”

Doktor O’Neill thotë se programi i ndihmave amerikane kundër SIDË-s, do të blejë vetëm ilaçe të miratuara nga Administrata Amerikane për Ushqimin dhe Shëndetësinë.

Por drejtuesi i programit të kontrollit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Andre van Zyl, reagon ashpër ndaj sugjerimeve se sistemi i agjencisë së tij është inferior ndaj Administratës Amerikane të Ushqimit dhe Shëndetësisë. Ai thotë se organizata e tij i gjeti problemet me kompanitë që zhvillojnë testimin e ilaçeve duke përdorur të njëjtat procedura inspektimi me administratën amerikane. Ai shprehet se përjashtimi i ilaçeve nga listat tregon fuqinë e veprimit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

“Fakti që ne e kemi ekspozuar problemin, mendoj se tregon se po zbatojmë një program rigoroz, dhe se procesi ynë i mbikëqyrjes po funksionon. Por patjetër që do të nxjerrim mësime nga puna jonë dhe do të përmirësojmë procesin që kemi në zbatim.”

Rachell Cohen me Mjekët pa Kufij, thotë se veprimi i fundit i Organizatës Botërore të Shëndetësisë e ka shtyrë atë që të ketë më shumë besim tek kjo e fundit dhe jo më pak. Ajo shton se Shtetet e Bashkuara duhet të ndihmojnë Organizatën Botërore të Shëndetësisë në këtë fushë.

“Në vend që ta shikojnë këtë si një evidencë që duhet përmirësuar dhe duhet punuar në të, kjo po përdoret për qëllime politike për të treguar superioritetin. Kjo nuk është e drejtë për njerëzit e prekur nga SIDA, jeta e të cilëve varet nga furnizimi i vazhdueshëm me ilaçe të cilësisë së lartë dhe të ekonomikisht të përballueshme.”

Por heqja nga lista e disa ilaçeve nga ana e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, nuk e ka lënë bosh sirtarin e ilaçeve. Mes mundësive të tjera është edhe një ilaç tjetër i prodhuar po nga kompania Cipla. Inspektorët e Organizatës Botërore të Shëndetësisë në kontrollet e fundit nuk gjetën ndonjë problem me këtë ilaç. Organizata Doktorët pa Kufinjë publikuan kohët e fundit një studim rreth këtij ilaçi në revistën “The Lancet”, ku tregohet efiktiviteti i tij në një grup të vogël pacientësh me SIDA.

Të dy kompanitë, Cipla dhe Ranbaxy thonë se kanë në plan të bëjnë prova të tjera në ilaçet e hequra nga lista, dhe se presin që së shpejti këto ilaçe të futen përsëri në listë. Ranbaxy gjithashtu po kërkon miratimin e ilaçit nga Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Shëndetësisë.

XS
SM
MD
LG