Lidhje

Sistemi amerikan i transportit - shumë i ekspozuar ndaj sulmeve terroriste - 2004-08-21


Komisioni dypartiak i cili hetoi sulmet terroriste të 11 Shtatorit, së bashku me disa senatorë të rëndësishëm thanë se sistemi amerikan i transportit vazhdon të mbetet shumë i ekspozuar ndaj sulmeve të mundëshme terroriste. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Michael Bowman njofton nga selia e Kongresit, ku komisioni i Senatit për Shkencën, Tregtinë dhe Transportin mbajti një dëshmi rreth kësaj çështjeje.

Në hyrje të fjalës së tij, Senatori nga Dakota e Veriut Byron Dorgan theksoi numrin e madh të njerëzve dhe anijeve që futen në Shtetet e Bashkuara çdo ditë dhe sfida që paraqet kjo për sigurinë.

” 1,1 milionë njerëz futen në Shtetet e Bashkuara çdo ditë si dhe 50 mijë kamionë dhe kontejnerë. 580 anije futen në portet tona detare çdo ditë si dhe 2500 aeroplanë. Ky është një vend i madh dhe shumë i hapur dhe të garantosh sigurinë është me rëndësi shumë kritike. ”

I emëruari i presidentit Bush për çështje të sigurisë së transportit Asa Hutchinson tha se shumë është arritur tri vitet e fundit por mbetet akoma shumë për tu bërë në të ardhmen.

” Ne vazhdojmë të bëjmë përparim çdo ditë. Ne besojmë se do të mund të mbrojmë ndjeshëm sistemin e transportit duke vazhduar të rishikojmë dobësitë, tu japim përparësi rreziqeve dhe të përqendrojmë fondet aty ku duhet.”

Por komentet e zotit Hutchinson nuk i kënaqën senatorët anëtarë të komisionit. Kryetari i komisionit, Senatori John Mcain tha se shumë pak ishte bërë për mbrojtjen e kufijve të Amerikës nga terroristët të cilët mund të futen në vend ilegalisht. Senatorja nga Kalifornia Barbara Boxer theksoi se vetëm një numër i vogël avionësh kanë roje të armatosura në bord. Senatori Dorgan shprehu habinë që pasagjerëve u lejohej të mbanin çakmakë në aeroplan. Senatorja nga shteti Maine Olimpia Snowe tha se gjendja është e papranueshme.

Komente bëri edhe kryetari i komisionit për hetimin e sulmeve të 11 shtatorit Thomas Kean.

” Kontrolli i detyruar i dobësive të 50 porteve më të mëdha detare amerikane do të kërkojë disa vjet. Megjithë iniciativat e fundit, shumica e kontejnerëve hyjnë në vend pa u kontrolluar dhe dokumentacioni për këta konejnerë mund të falsifikohet shumë lehtë.”

Zoti Kean vuri theksin në disa rekomandime të komisionit që drejtoi ai. Për shembull, agjentët federalë dhe jo kompanitë ajrore duhej të jenë përgjegjës për kontrollin e listave të pasagjerëve; kontrolli i bagazheve duhet të përmirësohet, duhet të përmirësohet gjithashtu identifikimi i pasagjerëve me anë të të ashtuquajturave shenja biometrike si shenjat e gishtërinjve dhe syve; të instalohen kontejnerë që u rezistojnë shpërthimeve në aeroplanët e pasagjerëve dhe të rritet përqindja e kontejnerëve që kontrollohen në portet detare.

Mbi të gjitha, tha zëvëndës kryetari i komisionit Lee Hamilton, administrata e presidentit Bush duhet të përpilojë një plan për të mbrojtur sistemin amerikan të transportit dhe të insistojë në një zbatim të përpiktë të planit.

” Neve na duhet një plan për çdo lloj transporti. Kjo duhet të përfshijë objektiva konkrete si dhe të përcaktohet se çfarë standarde dhe praktika duhet të zbatohen për ti arritur ato. Komisioni beson se kongresi duhet të caktojë një datë për arritjen e këtyre objektivave, të mbajë Departamentin e Sigurimit të vendit përgjegjës për përmbushjen e tyre dhe të garantojë se ky departament do të ketë fondet e nevojshme për arritjen e tyre.”

Zoti Hamilton tha se ai e kupton që në botën e pas 11 shtatorit, siguria absolute është e pamundur.

” Nuk është thjesht çështja se cilat objekte duhet të mbrohen por se cilën taktikë do të shfrytëzojnë terroristët dhe këtë nuk mund ta dish kurrë me siguri.”

Duke vazhduar debatin rreth kësaj teme, kryetari i komisionit të 11 shtatorit Thomas Kean tha se nuk mjafton vetëm të rritet siguria për tu mbrojtur nga terroristët. Ai tha se Shtetet e Bashkuara duhet të rrisin edhe mundësinë për tu përgjigjur në mënyrë efektive në rast të një sulmi të mundshëm terrorist.

XS
SM
MD
LG