Lidhje

Greqi: 20.000 gazetarë mbulojnë Lojrat Olimpike - 2004-08-21


Në kushtet kur më tepër se 20.000 gazetarë kanë ardhur në Athinë për lojrat Olimpike, komiteti Olimpik i qytetit duhet të jetë sa më krijues për sistemimin e tyre. Rebecca Ward njofton mbi disa nga dhomat më të çuditshme, te cilat janë vënë në dispozicion për disa prej anëtarëve të shtypit.

Në kompleksin Olimpik ka dy zona të mëdha për pjestarët e medias, Marusi Një dhe Marusi Dy. Megjithatë numri i dhomave ishte i pamjaftueshëm për të gjithë gazetarët dhe disa dhjetëra reporterë u dërguan që të qëndrojnë tek spitali lokal i grave, i cili është vendosur në një pozicion të volitshmëm pranë kompleksit Olimpik dhe vetëm disa metra larg qendrës kryesore të shtypit.

Gazetari Reid Laimanc i ’Boston Globe’ thotë se ata u njoftuan për sistemimin e pazakontë të tyre nëpërmjet një e-maili disa muaj më parë.

”Kur erdhëm këtu ishte shumë bukur. Dhomat janë si apartamente, me dhomë ndenjeje, dhomë gjumi, një banjë e gjysëm, ndaj dhe është shumë mirë. Krevati është krevat spitali dhe të krijohet një gjendje pothuajse humori, pasi krevati ka butona dhe mund ta ngresh lart dhe ta ulësh poshtë. Gjithashtu këtu ka një infermiere roje kështu që nëse dikush ngelet shtatëzanë gjatë lojrave Olimpike nuk do ketë problem.”

Në mjediset e spitalit mbizotëron një atmosferë gazmore. Por kjo jo prej lojrave Olimpike, por për shkak të pothuajse 40 nënave dhe baballarëve që presin të bëhen me fëmijë, të cilët kanë ardhur për takim me mjekun ose të pranohen ne maternitet për të lindur. Mjekët me uniforma të bardha tradicionale bisedojnë qetësisht me familjet, ndërsa infermieret bisedojnë me njëra tjetrën. Të gjithë as nuk i kushtojnë vëmendje një gazetari japonez i cili del nxitimthi për të shkuar tek një konferencë shtypi rreth lojrave Olimpike. Sidomos çiftet që presin të bëhen prindër, kanë gjëra të tjera për të menduar, thotë Reid Laymanc.

”Mendoj se këto çifte e pyesin veten se përse disa njerëz kalojnë nëpër mjediset e spitalit duke mbajtur çanta kompjuteri dhe etiketa identifikimi, por mendoj se ata janë më të preokupuar me gjëra të tjera se sa me atë që bëjmë ne.”

Zoti Laymanc thotë se në përgjithësi ai dhe kolegët e tij janë të kënaqur me vendin ku qëndrojnë. Më e rëndësishme është afërsia e spitalit me qendrën e shtypit. Ndërsa për famën e keqe të ushqimit të spitaleve, Zoti Laymanc thotë:

Ne na jepet një kupon për të ngrënë mëngjesin në një restorant që ndodhet këtu pranë. Ndërsa darka nuk vjen siç ua çojnë të sëmurëve, në tabakara ose gjëra të tilla.

Siguria, e cila ka qenë shumë e lartë në të gjithë kompleksin Olimpik, nuk ndihet shumë në mjediset e spitalit. Por zoti Laymanc thotë se ky fakt nuk e shqetëson.

Këtu ndodhemi në një situatë të veçantë, pai ky objekt ende funksionon si spital. Por ne kemi kaluar nëpër kontrollet e Kompleksit kështu që nuk shqetësohemi shumë për këtë çështje.

Duke konsideruar sistemimin tim tek zona e gazetarëve në kompleksin Olimpik që është rreth një kilometër e gjysëm larg qendrës së shtypit, spitali është një vend ideal meqenëse ndodhet shumë pranë qendrës. Ushqimi i restoranteve të atjeshme shijon më tepër, distanca është më e shkurtër dhe krevati mund të paloset si petë byreku.

XS
SM
MD
LG