Lidhje

SHBA: kandidatët presidencialë dhe e kaluara e tyre ushtarake - 2004-08-21


Në Shtetet e Bashkuara, një ndër temat kryesore të fushatës së tanishme zgjedhore është se cili kandidat shihet nga votuesit si më i përshtatshëm për të qenë komandant i përgjithshëm. Anketat tregojnë se frika nga terrorizmi dhe lufta në Irak janë shqetësimet kryesore të votuesve, duke e bërë edhe më të rëndësishme aftësinë ushtarake të kandidatëve. Një lajm i fundit në këto zhvillime është se mbështetësit e kandidatit për president John Kerry thonë se do të ngrejnë padi kundër një organizate që është përpjekur të diskreditojë të kaluarën e tij në Luftën e Vietnamit.

“Pa dyshim presidenti u thotë njerëzve se nuk do ta vinte kurrë në pikëpyetje shërbimin tim ndaj atdheut. Por ai rri indiferent kur këtë gjë e bën një sulm i financuar nga republikanët,” tha senatori Kerry.

Kandidati demokrat për president iu kundërvu këtë javë akuzave se e ka ekzagjeruar kontributin e tij ushtarak në Vietnam. Ai i kërkoi presidentit Bush që të dy kandidatët të krahasonin të kaluarën e tyre ushtarake gjatë luftës:

“Nëse ai dëshiron të bëjë debat për shërbimin tonë ushtarak në Vietnam, unë jam gati, tha zoti Kerry,” tha senatori Kerry.

Të dy kandidatët ishin në ushtri gjatë Luftës në Vietnam. Senatori Kerry doli vullnetar për të shërbyer në Vietnam. Ai ishte kapiten i një motoskafi luftarak që përdorej për lundrim në lumë dhe fitoi tre medalje trimërie. Ndërsa Presidenti Bush hyri në Gardën Kombëtare Ajrore të forcave të armatosura. Të dy kandidatët thonë se shërbyen me nder, por përkrahësit e tyre po shpenzojnë shuma të mëdha për të provuar të kundërtën.

Sulmet e fundit ndaj zotit Kerry kanë si autor një grup të vet-quajtur Swift Boat Veterans for Truth. Kjo organizatë e vogël, anëtarët e së cilës janë ende të zemëruar për qëndrimin kundër luftës që mbajti kandidati demokrat pasi u largua nga marina, përfshirë edhe akuzat ndaj luftëtarëve për krime lufte. Grupi kryesohet nga John O’Neil, i cili ka shkruar një libër për kandidatin demokrat me titull “I Papërshtatshëm për Komandë.”

“Ky persona filloi të na fabrikonte ne si kriminelë lufte, biles edhe veten filloi ta fabrikonte si kriminel lufte. Kurse tani po e fabrikon veten si hero lufte,” tha zoti O’Neal.

Në reklamën që ka shkaktuar shumë polemika, flasin ish-marinarë që shërbenin në të njëjtën motoskaf me zotin Kerry: political ad “E di që John Kerry gënjen për medaljen Zemra e Purpurt, pasi unë e mjekova për plagët e marra,” thuhet në reklamën politike.

Ditët e fundit fushata e zotit Kerry iu kundërvu këtyre mesazheve me një reklamë, në të cilën flet një ndër marinarët që u plagos pasi u godit motoskafi luftarak:

“Më dëgjoni mua, pasi isha vetë atje dje John Kerry më shpëtoi jetën. Shpërthimi më hodhi nga motoskafi. Trupat e Vietkongut po më qëllonin. Mendova se do të më vrisnin. Por ai më nxori nga uji duke rrezikuar jetën e tij për të më shpëtuar,” thuhet në reklamë.

Zoti Kerry akuzoi fushatën e presidentit se është në prapaskenat e kësaj reklame:

“Ata financohen nga qindra mijëra dollarë nga një kontribues republikan nga Teksasi. Ata janë fasada e fushatës së zotit Bush. Fakti që presidenti nuk është distancuar nga këto mesazhe flet qartë për këtë. Ai do që ata të bëjnë punën e tij të pisët,” tha zoti Kerry.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Scott McClellan e hedh poshtë këtë:

“Këtu ka një farë shtrembërimi. Senatori Kerry e di që akuzat e tij të fundit janë falso dhe të pabaza. Presidenti i ka dënuar të gjitha reklamat nga grupe të dyshimta. Ne i kemi bërë thirje senatorit Kerry të bashkohet me ne për të kërkuar që t’i jepet fund të gjithë këtyre burimeve financiare të pakontrolluara që po ushqejnë këtë fushatë,” tha zëdhënësi McClellan.

Një ndër grupet më aktive që financon reklama politike është MoveOn.org, i cili ka transmetuar reklama në të cilat e akuzon presidentin Bush se ka shfrytëzuar lidhjet familjare për të shmangur shërbimin ushtarak gjatë Luftës së Vietnamit.

Ditët e fundit Komisioni Federal për Zgjedhjet miratoi rregullore të reja për të kufizuar reklama të tilla në zgjedhjet e ardhshme. Megjithatë këto rregulla nuk do të hyjnë në fuqi para zgjedhjeve të nëntorit.

XS
SM
MD
LG