Lidhje

Kosovë: UNMIK dhe Këshilli i Evropës nënshkruan marrëveshjen për mbrojtjen e pakicave dhe atë për parandalimin e torturës - 2004-08-23


Sekretari i përgjithshëm i Këshillit të Evropës, Walter Shvimer, dhe krye administratori i ri i Kosovës Sorren-Jessen Petersen, nënshkruan sot në Prishtinë dy marrëveshje që kanë të bëjnë me vëzhgimin e zbatimit në Kosovë të parimeve të rëndësishme të të drejtave të njeriut të vendosura nga Këshilli i Evropës, konventën kornizë për mbrojtjen e pakicave kombëtare dhe atë për parandalimin e torturës. Sipas marrëveshjes së parë, UNMIK-u do t’i japë informacionin e nevojshëm komitetit të ministrave të Këshillit të Evropës ndërkohë që marrëveshja e dytë lejon një komitet të pavarur ekspertësh për të shqyrtuar trajtimin e personave, të cilëve u është mohuar liria në Kosovë nga UNMIK-u.

Në ceremoninë e nënshkrimit të këtyre marrëveshjeve merrnin pjesë edhe përfaqësuesit më të lartë të institucioneve vendore, presidenti Ibrahim Rugova dhe kryeministri Bajram Rexhepi, të cilët theksuan angazhimin e tyre për mbrojtjen e të drejtave të njeriut në përgjithësi dhe të të drejtave të pakicave në veçanti.

Po sot, krye administratori i ri Sorren-Jessen Petersen dhe kryeministri Bajram Rexhepi filluan së bashku një grup vizitash në disa zona të Kosovës, me theks të vecantë në ato zona ku banojnë pakicat. Ata biseduan sot me zyrtarë vendas nga të komunitetet e ndryshme që jetojnë në këto zona dhe me vetë banorët që shprehën shqetësimet që kanë në jetën e tyre të përditshme. Po kështu, krye administratori Petersen, kryeministri Rexhepi dhe përfaqësuesja e përhershme e programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim, Christine Roth, filluan së bashku një projekt të ri që synon hapjen e vendeve të reja të punës dhe inkurajimin e punëdhënësve për punësimin e sa më shumë të rinjve.

Projekti me një buxhet prej 1 milion eurosh për 6 muaj, pritet të ndihmojë në uljen e nivelit të papunësisë në një periudhë afatshkurtër dhe të ndihmojë në përmirësimin e kushteve sociale ndërkohë që për këtë zhvillohen politika afatmesme dhe afatgjata. Kryeadministratori Petersen nënvizoi nevojën për një strategji të zhvillimit ekonomik ndërkohë që kryeministri Rexhepi pohoi se Kosova nuk ka pasur deri tani një strategji bashkëkohore të zhvillimit ekonomik. Zoti Petersen theksoi gjithashtu se nuk mund të ketë siguri në Kosovë nëse nuk ecet përpara në zhvillimin ekonomik ndërkohë që kryeministri Rexhepi pohoi se hapja e vendeve të reja të punës ka qenë përparësi për qeverinë, po ajo nuk ka pasur sukses në këtë cështje.

Edhe administrata ndërkombëtare, edhe autoritetet vendore, bënë të qartë se ky project nuk do ta zgjidhë problemin e papunësisë në Kosovë, por është një mënyrë e re trajtimi e problemit që nëse do të tregohet e suksesshme, mund të vazhdojë.

//ze//

XS
SM
MD
LG