Lidhje

Lojrat Olimpike: Kina barazon Shtetet e Bashkuara për numrin e medaljeve të arta - 2004-08-23


Ditën e 10-të të garave olimpike në Athinë Shtetet e Bashkuara dhe Kina janë në krye të klasifikimit të medaljeve të arta me nga 22, por, përsa i përket numrit të përgjithshëm të medaljeve, Shtetet e Bashkuara kryesojnë me 60, ndërkohë që Kina ka vetëm 48.

Të hënën janë në program të zhvillohen gjithsejt 18 gara për medalje.

Në softboll, amerikanet mundën në finale Australinë 5-1. Kjo fitore kurorëzoi një bilanc mbresëlënës të amerikaneve në lojra. Ata i fituan të nëntë ndeshjet me rezultat të përgjithshëm 51-1.

Ndërkohë, Kina humbi shansin të fitonte medaljen e artë në ping-pong për meshkuj. Ping-pongisti kinez Wang Hao u mund në finale nga koreano-jugori Ryu Seung-min.

Në mundjen për femra, Kaori Icho dhe Saori Yoshida morën medalje të arta për Japoninë, ndërkohë që Irini Merleni fitoi medalje të artë për Ukrainën.

Australia fitoi medaljen e artë në garën ekipore të çiklizmit, ndërkohë që Athanasia Tsoumeleka e Greqisë doli e para në ecje sportive 20 kilometra.

Në atletikë do të zhvillohen, veç të tjerash, edhe tre finale të garave për femra: kërcimi tre-hapësh dhe garat e 800 e 5,000 mijë metrave. Meshkujt do të ndeshen në finalen e 400 metrave.

Në garat e gjimnastikës, ndër të tjerë, tërheqin vëmendjen Paul Hamm dhe Carly Patterson të Shteteve të Bashkuara të cilët do të përpiqen të fitojnë medalje të tjera të arta.

Hamm konkuron me gjimnastët më të mirë rusë e kinezë në paralele dhe në hekur. Patterson konkuron me Li Ya të Kinës dhe Catalina Ponor të Rumanisë në traun e ekuilibrit.

Justin Gatlin përshkon 100 metrat në 9 sekonda e 85; për herë të parë pesë atletë të tjerë e presin finishin nën 10 apo në 10 sekonda

Atleti amerikan Justin Gatlin është njeriu më i shpejtë në botë pasi fitoi garën e 100 metrave.

Ai e përshkoi të djelën këtë distancë në 9 sekonda e 85 të qindtat. Në vend të dytë doli Francis Obikwelu i Portugalisë me kohën 9 sekonda e 86 të qindtat dhe Maurice Green i Shteteve të Bashkuara mori medaljen e bronztë me një të qindtën e sekondës më shumë.

Kjo është koha më e shpejtë në historinë e garave olimpike. Për herë të parë në historinë e sportit, 5 vrapues i përshkuan të 100 metrat nën 10 sekonda, ndërkohë që një tjetër kampion i botës, Kim Collins, e preu finishin pikërisht në kufirin e 10 sekondave.

Justin Gatlin është kampioni më i ri olimpik i 100 metrave në 36 vjet.

Japonia fiton maratonën olimpike për femra

Mizuki Naguchi e Japonisë fitoi maratonën olimpike për femra. Ajo i përfundoi të 42 kilometrat në 2 orë, 26 minuta e 20 sekonda.

Fitorja e saj shënon triumfin e dytë të Japonisë radhazi në maratonën olimpike të femrave. Naoko Takahashi vendosi para katër vjetësh rekord të ri olimpik dhe fitoi medaljen e artë në Sidnej.

Medaljen e argjendtë për këtë lojra e fitoi keniania Catherine Ndereba, e cila preu vijën e finishit 12 sekonda pas Naguchit. Deena Kastor e Shteteve të Bashkuara zuri vendin e tretë pas një finishi të fortë.

Mbajtësja e rekordit botëror, Paula Radcliffe e Britanisë, u tërhoq nga gara 20 minuta para finishit me sy të përlotur me sa duket nga dhimbja e një traume në këmbë.

Not: Shtetet e Bashkuara thyejnë rekord botëror në stafetën 4x100 stil i përzier për meshkuj

Një nga garat që tërhoqën vëmendje, ishte finalja e stafetës 4 x 100 metër stil i përzier për meshkuj.

Ekipi i notarëve të Shteteve të Bashkura theu rekordin e mëparshëm botëror me kohën 3 minuta, 30 sekonda e 68 të qindtat.

Ylli amerikan Michael Phelps i kishte lëshuar vendin në këtë garë, ku do të kishte konkuruar me stilin flutur, bashkatdhetarit të tij Ian Crocker. Phelps këtë radhë e shijoi fitoren nga shkallët e spektatorëve.

Aaron Peirsol, i cili garoi në stilin bretkosë, ka fituar dy medalje të arta në këto Lojra Olimpike. Por ai shfrytëzoi këtë stafetë për të thyer rekordin botëror të 100 metrave bretkosë me kohën 53 sekonda e 45 të qindtat.

Basketboll: Amerikanet mundin Kinën me rezultat të thellë

Ekipi olimpik i basketbollisteve amerikane, që i ka fituar që të pesë ndeshjet e luajtura deri tani pej tyre, mundi mbrëmë Kinën me rezultat të thellë 100-62.

Komentatorët e përshkruan lojën e basketbollisteve amerikane në këtë ndeshje si të zhdërvjellët dhe sulmin e tyre tepër rezultativ.

Ekipi amerikan doli i pari në Grupin B, ndërkohë që dhe Australia nuk ka humbur asnjë ndeshje dhe kryeson Grupin A. Të mërkurën fillojnë ndeshjet çerekfinale të basketbollit për femra. //az//

XS
SM
MD
LG