Lidhje

Bashkim Zeneli: Politika e tanishme e qeverisë greke është favorizuese për emigrantët shqiptarë - 2004-08-23


Ambasadori i Shqipërisë në Athinë, Bashkim Zeneli, i tha Zërit të Amerikës se politika e tanishme e qeverisë greke është favorizuese për emigrantët shqiptarë të cilët po gëzojnë më shumë liri lëvizjeje, megjithë masat e shtuara të sigurisë me rastin e Lojrave Olimpike. Në një intervistë me kolegun tonë Ilir Ikonomi, ai tha se nuk mendon se mbarimi i Lojrave do ti lerë pa punë shqiptarët në Greqi.

Ambasador Bashkim Zeneli: Përsa i takon lëvizjes, vërtetë që skenat që të gjithë shqiptarët i kanë parë para dy vjetësh në kufi, nuk janë përsëritur më. Nuk është vetëm periudha e tanishme që ka një ngarkesë shumë të madhe, por edhe në periudhën e Pashkëve, të Krishtlindjeve, lëvizja ka qënë shumë e lirë dhe gjatë një afati të kufizuar, 10 ditor, apo dy javor, kanë kaluar në secilën pikë, të Kapshticës, apo të Kakavijës, rreth 50 mijë vetë. Kjo është mjaft për t’u përshëndetur, pasi në një kohë që siguria e Lojrave Olimpike, siguria e lëvizjes, e hyrjeve dhe daljeve, jo vetëm në kufirin me Shqipërinë, por në të gjithë kufijtë tokësorë, detarë, ajrorë, është në nivelin më të lartë, pikërisht në këtë moment bëhet ky favor, si të thuash, për shqiptarët.

Zëri i Amerikës: Zoti Ambasador ky vit ka qënë më i mirë për emigrantët shqiptarë në Greqi dhe besoj se ata e kanë merituar këtë, po të shikojmë kontributin që dhanë për Lojrat Olimpike. Si do ta karakterizonit situatën e tyre të përgjithshme në nivelin e punësimit aktualisht. Cilat janë prirjet?

Ambasador Bashkim Zeneli: Natyrisht emigracioni është i vështirë, ka problemet e veta, jo të gjithë e përballojnë dhe kjo nuk ndodh vetëm me shqiptarët në Greqi, por me çdo të huaj në një shtet ku ai ka emigruar. Unë mendoj se edhe politika e qeverisë greke, qoftë ajo e Pasokut, qoftë dhe tani e Demokracisë së Re, është një politikë liberale, përsa i takon emigrimit, është një politikë integruese dhe jo kufizuese. Unë mendoj se kjo politikë e qeverisë greke është favorizuese për shqiptarët dhe kur them për shqiptarët, duhet të kemi parasysh një element të rëndësishëm, që ata duke qënë 650 mijë në Greqi, pra rreth 60 përqind e emigrantëve të huaj në Greqi, çdo nismë legjislative apo adminsitrative që ndërmer parlamenti grek, apo qeveria apo ministritë përkatëse për emigracionin, shtysën në një farë mënyre e ka nga shqiptarët.

Zëri i Amerikës: Zoti Ambasador disa janë të shqetësuar se mbarimi i Lojrave Olimpike do t’i cënojë emigrantët nga pikëpamja ekonomike. Cili është komenti juaj?

Ambasador Bashkim Zeneli: Me mbarimin e Lojrave Olimpike natyrisht nuk do të jetë kjo situatë “bumi” kuptohet, por nuk besoj të ketë alarme dhe shqetësime. Ata shqiptarë që kanë punuar në këto objekte kryesore olimpike janë specializuar tashmë, janë të zotë dhe u hiqet kapelja nga kushdo dhe me kohë kanë filluar të lidhin edhe marrëveshje, të lidhin kontrata të reja në ndërtim dhe pavarësisht nga kjo, nga ky zhvillim i madh i Athinës në kuadër të Lojrave dhe tani gjatë tyre, ndërtime do të ketë përsëri, punë do të ketë përsëri. Mbase, ashtu si dhe për vetë grekët, jo në përmasat e përgatitjeve të ndërtimit të objekteve olimpike, apo gjatë Lojrave Olimpike, por nuk besoj të ketë ndonjë alarm, ndonjë shqetësim të veçantë.

Zëri i Amerikës: Zoti Ambasador shikoni ekipin kombëtar grek, disa nga sportistët më të mirë janë shqiptarë. Shumë shqiptarë qoftë në Greqi, apo në Shqipëri, shprehin keqardhje që këta sportistë nuk konkurojnë nën flamurin shqiptar. A shikoni ju ndonjë problem?

Ambasador Bashkim Zeneli: Nuk shikoj ndonjë problem. Këta sportistë shqiptarë që kanë ardhur prej vitesh këtu, kanë emigruar, kanë gjetur një mënyrë për të konkuruar, për të mbijetuar me suksesin e tyre sportiv që e kanë filluar në atdhe. Natyrisht ndonjeri ka përdorur edhe ndonjë çertifikatë besnikërie etj., etj. por janë bërë shtetas grek dhe shtetas grek nuk janë bërë vetëm sportistët, as shtetas gjermanë apo amerikanë nuk janë bërë vetëm ata që janë këtu. Do të ishte mirë që po të ishin në Shqipëri të konkuronin për flamurin shqiptar, por të gjithë e dinë kush është njeri dhe kush është tjetri. Të gjithë e dinë që janë shqiptarë. Madje gjatë ceremonisë së Lojrave Olimpike kam patur kontakte me mjaft autoritete të larta greke dhe ata të gjithë i kanë përmendur me emër që ja kemi edhe këta tuajt, pavarësisht se sot janë shtetas grek dhe luftojnë për flamurin grek. Bota sot është ndryshuar, ata atdheun aty e kanë, po kaq shqiptarë sa unë dhe sa ju janë, konkurojnë siç konkuron një sportist, një futbollist me një klub italian, apo gjerman apo belg, kështu që emrin e kanë mjaft të mirë dhe ky emër përsëri i nderon ata, por nderon edhe Shqipërinë. Ashtu siç nderon emri i Strakoshës që ka kaq vite këtu që luan me mjaft dinjitet në portat greke, por që është edhe portier i ekipit kombëtar, apo të tjerë futbollistë të ekipit tonë kombëtar që luajnë qoftë në Greqi, qoftë diku tjetër.

//ze//

XS
SM
MD
LG