Lidhje

Rusia po i bën thirrje për reforma OSBE-së - 2004-08-24


Njoftohet se Rusia po i bën thirrje për reforma Organizatës për Sigurimin dhe Bashkëpunimin Evropian, duke thënë se ndryshimet janë të nevojshme për ta bërë më të efektshme punën e organizatës dhe që ajo t’u përgjigjet më mirë nevojave të vendeve anëtare.

Agjencia ruse e lajmeve Interfax citon Ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov të ketë thënë se presidenti Vladimir Putin do ta diskutojë për këtë çështje javën e ardhshme, gjatë takimeve në Rusi me presidentin francez Zhak Shirak dhe Kancelarin gjerman Gerhard Shrëder. Takimet do të zhvillohen të hënën dhe të martën e javës së ardhshme në qendrën turistike Sochi në brigjet e Detit të Zi.

Në muajin korrik, Rusia dhe 8 ish-republika të tjera ish-Bashkimit Sovjetik e akuzuan OSBE-në se po përdor standarte të dyfishta, në kritikat ndaj gjendjes së të drejtave të njeriut në disa vende, ndërkohë që merr nëpër këmbë të drejtat e njeriut në vende të tjera. Ata thanë se OSBE-ja i kushtoi vëmendje të veçantë vendeve të tyre dhe atyre ballkanike, ndërsa nuk merr parasyh të drejtat e pakicave në Letoni dhe Estoni.

Armenia, Bjellorusia, Kazakistani, Kirgistani, Moldovia, Taxhikistani, Ukraina dhe Uzbekistani iu bashkua Rusisë në këtë deklaratë.

Ndërkohë, Qeveria e Çeçenisë e mbështetur nga Kremlini njoftoi se forcat e saj kanë vrarë 12 militantë gjatë përplasjeve të fundit në republikën separatiste. Agjencia e lajmeve Itar-Tass citon një nga zyrtarët ushtarakë të ketë thënë se militantët besohen të kenë qenë mes separatistëve të cilët kryen sulmin vdekjeprurës të shtunën në Grozni.

Sipas lajmeve, rreth 50 oficerë të policisë dhe civilë u vranë gjatë sulmit kundër postblloqeve policore dhe qendrave të votimit. Sipas njoftimeve të djeshme, më shumë se 30 persona, kryesisht oficerë të policisë, kanë vdekur.

Ndërkohë Çeçenia përgatitet për zgjedhjet presidenciale të dielën për të zëvendësuar Akhmad Kadirov, i cili u vra me 9 maj në Grozni. Këshilli i Evropës tha se do të dërgojë delegacionin e vet në Çeçeni për të vlerësuar situatën dhe për t’u takuar me kandidatët presidencialë. Konflikti në këtë republikë filloi në vitin 1999.

//ze//

XS
SM
MD
LG