Lidhje

Irak: Përforcimet përreth xhamisë së Imam Aliut në Naxhaf - 2004-08-24


Forcat amerikane dhe ato irakiane po shtojnë përforcimet përreth xhamisë së Imam Aliut në Naxhaf, e cila është mbajtur nën kontrollin e ekstremistëve shiitë gjatë 20 ditëve të fundit. Forcat e Gardës Kombëtare të Irakut zunë pozicione vetëm qindra metra larg xhamisë dhe përdorën autoparlantë për tu bërë thirrje luftëtarëve të klerikut radikal shiit, Maktada al-Sadër që të largohen nga xhamia, përndryshe do të sulmohen.

Ministri irakian i mbrojtjes i tha rrjetit televiziv Al-Arabija se orë vendimtare po afrohen, siç u shpreh ai, por ai la të kuptohej se xhamia nuk do të sulmohet sot. Ai shtoi se kleriku ka ende mundësi të dorëzohet, përndryshe ai do të përballet me vdekje ose burgim.

Në përgjigje, këshilltarë të klerikut shiit thanë se ata janë gati të negociojnë një zgjidhje të krizës.

Po sot, në Bagdat kryengritësit sulmuan veças vargun e makinave shoqëruese të ministrit të mjedisit dhe atij të arsimit. Asnjëri prej zyrtarëve nuk u dëmtua, por 5 roje personale dhe njëri prej autorëve të sulmeve u vranë.

Në Falluxhah, ushtria amerikane njoftoi se gjatë natës aeroplanët e saj shkatërruan një bazë, ky dyshohej se fshiheshin kryengritës, si dhe një magazinë armësh.

Ndërkohë, Në Irak, ekstremistët islamikë thanë se siguria e një gazetari italian, që ata kanë rrëmbyer, është në rrezik, në qoftë se Italia nuk pranon të tërheqë forcat e saj nga Iraku brënda 48 orësh. Kjo kërkesë u bë në një video-kasetë, që u transmetua nga rrjeti televiziv arab, Al-Xhazira, në të cilën shikohej gazetari Enzo Baldoni.

Zyrtarë italianë thanë se dëgjuan për herë të fundit nga zoti Baldoni javën e kaluar, kur ai po shkonte në Naxhaf. Qeveria italiane thotë se 3 mijë trupat e saj do të qëndrojnë në Irak, megjithë ultimatumin e rrëmbysve.

Ndërkohë, rrëmbyesit e një shtetasi libanez, që është mbajtur më shumë se një javë, thanë se ai është liruar. Edhe gazetari amerikan Micah Garen, i cili u lirua të dielën, në një takim me sot me gazetarëve në Bagdat shprehu gëzim që është i lirë dhe tha se mezi pret të kthehet në shtëpi.

//ze//

XS
SM
MD
LG