Lidhje

Ramush Haradinaj: Në Kosovë nuk mund të vazhdojmë me dy qeveri - 2004-08-25


Kryetari i Partisë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, thotë se UNMIK-u duhet ta shfrytëzojë periudhën deri në zgjedhjet e tetorit për të transformuar veten dhe për t’u përgatitur për një rol ndihmës në Kosovë. Zoti Haradinaj ishte në Uashington për të biseduar me zyrtarë amerikanë mbi çështje që kanë të bëjnë me zhvillimet në Kosovë.

Zëri i Amerikës Zoti Haradinaj cili është qëllimi i vizitës suaj në Uashington?

Ramush Haradinaj Qëllimi im është që të shpjegoj për zhvillimet e fundit në Kosovë dhe arritjet që kanë ndodhur atje në përgjithësi por edhe që të informohen dhe të kuptoj pikpamjet e Uashingtonit lidhur me proceset në Kosovë dhe sidomos në vitin 2005, kur pritet të hapen edhe negociatat për statusin final.

Zëri i Amerikës Cila është rëndësia reale e zgjedhjeve që do mbahen në Kosovë në muajin tetor? A do të jenë ato vendimtare për shqiptarët në kuptimin që ata mund të përfitojnë më shumë kompetenca nëse zgjedhjet zhvillohen me sukses apo që mund ta afrojnë datën e bisedimeve për statusin?

Ramush Haradinaj Besoj se me zgjedhjet e tetorit në Kosovë do të fillojë edhe një periudhë e re, pra një periudhë e institucioneve me kapacitet të plotë, me transferim të përgjegjësive. Por në të njëjtën kohë, ne do të ndodhemi para realitetit kur duhet të përballemi me veten si Kosovë, në mënyrë që deri në mesin e vitit 2005 të arrijmë të dëshmojmë se jemi të gatshëm t’i marrim përgjegjësitë për Kosovën.

Zëri i Amerikës Kohët e fundit ju jeni takuar me shefin e UNMIK-t Soren Jessen-Petersen, i cili ka bërë deklarata të ndryshme nga ato të paraardhësve të tij. Si e shihni ju misionin e tij dhe çfarë shpresoni nga zoti Jessen-Petersen.

Ramush Haradinaj Sikurse dihet, ka pasur një situatë të vështirë bashkëpunimi mes institucioneve të përkohshme të Kosovës dhe UNMIK-ut. Pra, kemi arritur në një situatë me dy qeveri, do ta quaja. Ardhja e zotit Petersen dhe mënyra se si i është qasur misionit të vet, mandatit që ka në kuadër të UNMIK-ut, për ne është shpresë se do të ndryshojë shumëçka në mënyrën e punës në Kosovë. Edhe proritetet që ka nxjarrë zoti Petersen si prioritete të UNMIK-ut nuk dallojnë nga ato që janë tonat në Kosovë, por mbetete të shihet se a do të ketë veprime konkrete në ato që kanë qenë edhe deklarime të tij të para.

Zëri i Amerikës Tani për tani, autoriteti i UNMIK-ut në Kosovë është ndoshta në pikën e tij më të ulët. Si e shikoni ju të ardhmen e afërt të UNMIK-ut?

Ramush Haradinaj Angazhimi ynë është që të mos ketë më tutje dy qeveri. Pra të mos ketë UNMIK, që është qeveri, dhe institucione të Kosovës njëkohësisht. Ky është edhe qendrimi që i kam shprehur zotit Petersen: nuk mund të vazhdojmë më tutje me dy qeveri. Sipas bindjes sime, nuk ka nevojë të ndërtohet autoriteti i UNMIK-ut apo t’i kthehet reputacioni, sikurse thuhet, por ka nevojë që të funksionojë Kosova dhe që ajo të funksionojë, është e nevojshme të kompletohet qeveria e Kosovës dhe t’i jepet mundësia institucioneve të Kosovës që ta tregojnë veten edhe në fusha të tjera qeverisëse. Mendimi im është se periudha deri në zgjedhjet e tetorit duhet të shfrytëzohet nga UNMIK-u për transformimin e vet dhe për t’u përgatitur për një rol tjetër. Ne mendojmë se një rol ndihmës për UNMIK-un në Kosovë do të ishte në të njëjtën kohë mundësi vepruese për institucionet e Kosovës por po ashtu do t’i mundësonte bashkësisë ndërkombëtare që të jepte kontributin e vet për procesin në të cilin ndodhet Kosova.

Zëri i Amerikës Po afrohet viti 2005, një vit mjaft i rëndësishëm kur komuniteti ndërkombëtar do të vlerësojë çështjen e zbatimit të standardeve. A keni besim se zbatimi i tyre do të vlerësohet pozitivisht?

Ramush Haradinaj Jemi shumë të bindur se angazhimi ynë i deritanishëm është vërtetuar se ka qenë serioz. Ne po ashtu do të dëshmojmë në periudhën e paszgjedhjeve deri në mesin e vitit 2005 dhe presim që viti 2005 të shënojë edhe fillimin e realizimit të të drejtës së popullit të Kosovës për vetvendosje. Sikurse dihet, populli i Kosovës është deklaruar për Kosovën e pavarur.

XS
SM
MD
LG