Lidhje

E ardhmja e Kosovës: A duhet ta marrë Bashkimi Evropian përgjegjësinë? - 2004-08-25


Pas trazirave të muajit mars në Kosovë, janë shtuar propozimet për të ardhmen e këtij rajoni. Një sërë analistësh japin mendime të ndryshme për reformimin e rolit të UNMIK-ut, për kompetencat që duhet të kenë autoritetet vendore, dhe në se Bashkimi Evropian duhet të luajë një rol më të madh, në mos kryesor, për Kosovën.

Ligjvënësi amerikan Doug Bereuter, Kryetar i Nënkomisionit për Evropën në Komisionin e Dhomës së Përfaqësuesve për Marrëdhëniet me Jashtë dhe profesori i kolegjit Wolfson në Universitetin Kembrixh, Thomas Grant, përmes një artikulli botuar më 25 gusht në gazetën The Wall Street Journal theksojnë se Kosova duhet të vihet nën kontrollin e Bashkimit Evropian.

Ndërkohë Senatori amerikan Xhozef Baiden, para pak kohësh, në një artikull në gazetën Washington Times, theksonte se Shtetet e Bashkuara duhet të luajnë rolin kryesor në Kosovë. Dhuna e kohëve të fundit në Kosovë e nxitur nga ekstremistët shqiptarë, shprehen në artikullin e tyre për gazetën Wall Street Journal, ligjvenësi Birojter dhe profesori Grant, e bëri të qartë se ky rajon i trazuar i Ballkanit nuk është ende gati për t’u vetëqeverisur.

E mbërthyer mes paaftësisë për t’u vetëqeverisur dhe zhgënjimit nga forma e tanishme e administrimit ndërkombëtar, Kosova, thuhet në artikull, ka nevojë për një qëndrim të ri.

Autorët propozojnë që vitin e ardhshëm Kombet e Bashkuara t’ia dorëzojnë qeverisjen e Kosovës Bashkimit Evropian.

Krijimi i një territori nën kujdestarinë e Bashkimit Evropian, thonë autorët, do të ishte një mekanizëm i përshtatshëm për të përmirësuar qeverisjen dhe për ta futur Kosovën në rrugën e anëtarësimit evropian pa e paragjykuar statusin përfundimtar të saj, në se ajo do të hyjë në Bashkimin Evropian si pjesë e Serbisë, apo si shtet i pavarur.

Por autorët e artikullit, ligjvenësi Birojter dhe profesori Grant e pranojnë se kjo ide nuk pritet të fitojë mbështetje të madhe në korridoret e institucioneve evropiane, ndërsa zyrtarët e Bashkimit janë të zënë me integrimin e anëtarëve të rinj, me kushtetutën e Bashkimit dhe me fillimin e operacioneve paqeruajtëse në Bosnje.

Sipas autorëve, vështirësi të tjera kanë të bëjnë me faktin se Karta e OKB-së, nuk përmban një referencë të qartë, që organizata të tjera ndërkombëtare, me përjashtim të OKB-së, të marrin përsipër territore për t’i administruar dhe së dyti, po në Kartën e OKB-së, thuhet se Sistemi i Kujdestarisë nuk mund të përdoret ndaj vendeve që janë anëtare të OKB-së dhe Serbia e Mali i Zi është një vend anëtar.

Por hapi më i rëndësishëm thonë autorët, është të sigurohet miratimi i vetë banorëve të Kosovës. Nuk ka dyshim, theksojnë ata, që shqiptarët kërkojnë pavarësi, megjithë problemet ndërkombëtare që do të krijonte kjo. Megjithatë, dhuna e marsit, shtojnë ata, tregon se një formë administrimi ndërkombëtar është ende e nevojshme në Kosovë për të mbrojtur pakicën serbe dhe për të krijuar një Kosovë që do të ishte një anëtare e përgjegjshme e komunitetit ndërkombëtar. Prandaj kalimi i Kosovës nën kujdestarinë e Bashkimit Evropian, thonë autorët e artikullit, është rruga e duhur për të ndihmuar të gjithë banorët e Kosovës të arrijnë të drejtat dhe zhvillimin që ata aspirojnë.

Ndërsa një ligjvenës tjetër i rëndësishëm amerikan, Senatori Xhozef Baiden, demokrati më i lartë në Komisionin e Marrëdhënieve me Jashtë të Senatit, përmes një artikulli të botuar në fund të muajit të kaluar në gazetën Uashington Times, thekson se në zgjidhjen e problemit të Kosovës, duhet të jenë Shtetet e Bashkuara, që duhet të luajnë rolin kryesor.

Senatori Baiden thekson se UNMIK-u ka bërë një punë të dobët dhe ka humbur besimin në Kosovë. Prandaj, thekson ai, “komuniteti ndërkombëtar duhet t’u japë autoriteteve vendase kompetencat më të mëdha të mundshme, që ato t’i provojnë botës se mund të qeverisin dhe mund të garantojnë të drejtat e njeriut për gjithë grupet etnike”.

Senatori Biden, po ashtu propozon që “në vend që drejtimi i çështjeve në Ballkan t’i kalojë Bashkimit Evropian, ashtu siç po ndodh në Bosnje, Uashingtoni duhet të emërojë një të dërguar të posaçëm në Ballkan, një post që u provua se ishte i efektshëm në vitet ’90.

I dërguari i posaçëm, vazhdon më tej Senatori, duke punuar me serbët dhe shqiptarët, me aleatët evropianë dhe me Kombet e Bashkuara, mund të arrijë përparim të madh për të zgjidhur një nga mosmarrëveshjet më të tensionuara të Evropës”.

Shtetet e Bashkuara thotë senatori Biden, janë në një pozitë të veçantë, pasi imazhi i trupave amerikane duke mbrojtur banorët serbë në muajin mars, u ka dhënë Shteteve të Bashkuara besueshmërinë më të madhe ndonjëherë në Beograd, ku, nga ana tjetër, për herë të parë ka ardhur në pushtet një president demokratik që ka lidhje të mira me Uashingtonin.

XS
SM
MD
LG