Lidhje

Besueshmëria e shtypit në Shqipëri në nivelin më të ulët - 2004-08-26


Në Shqipëri prej disa ditësh televizioni News 24, stacion i cili transmeton vetëm informacione, është në konflikt të hapur me Partinë Demokratike, forcën kryesore të opozitës në vend. Kjo e fundit prej dy muajsh nuk lejon gazetarët dhe kamerat e këtij televizioni të ndjekin aktivitetet e saj duke e akuzuar News 24 se lajmet, që ky television transmeton lidhur me Partinë Demokratike, janë të trilluara në zyrat e Kryeministrit dhe se nuk ka pranuar t’i përgënjeshtrojë ato kur i është kërkuar. Nga ana e tij News 24 e ka konsideruar këtë vendim të Partisë Demokratike një akt diskriminues dhe censure politike dhe akuzat e kësaj force politike si pretekste të pamotivuara dhe paradoksale. Konflikti është acaruar së tepërmi ditët e fundit pas ngjarjeve të ndodhura në fshatin Lazarat. Të enjten për këtë çështje është shprehur edhe Komiteti Shqiptar i Helsinkit i cili këtë rast e cilëson si një dhunim të së drejtës së marrjes dhe dhënies së informacionit.

Intervistë me Aleksandër Frangaj, drejtor i Televizionit Klan dhe Kryetar i Shoqatës së Mediave Elektronike në Shqipëri dhe Mentor Kikia, Kryeredaktor i Televizionit Top Chanel.

Zëri i Amerikës: Cilat janë shkaqet e këtij konflikti të fundit? Sa i justifkuar është ky qëndrim i Partisë Demokratike?

Aleksandër Frangaj: Është e vërtetë që ka disa ditë që një ndodhi jo e këndshme pë rmedian ka ndodhur në raport me Partinë Demokratike. Çakreditimi i televizionit News 24 sigurisht që nuk është pritur mirë. Unë personalisht si kryetari i Shoqatës së Medias Elektronike kam kontaktuar me Kryetarin e Partisë Demokratike me lutjen që ta rishikojë këtë vendim ndaj këtij televizioni, pasi është një vendim që nuk pajtohet me normat, me parimet e funksionimit të mjeteve të informacionit. Sigurisht është një veprim që nuk pajtohet dhe nuk i shërben as imazhit të kësaj partie. Por nga ana e Partisë Demokratike dhe zotit Sali Berisha ka patur një reagim të ashpër, sepse ata vazhdimisht argumentojnë që News 24 në shumë raste, ka dizinformuar me lajmet e mara nga kjo seli dhe duke i konsideruar ato lajme të fabrikuara në zyrat e Kryeministrit siç e thatë edhe ju. Si kryetar i shoqatës, i kam kërkuar pavarësisht dhe pa qënë në brendësi të ndodhive konkrete, apo të lajmeve konkrete, i kam kërkuar që kjo nuk është rruga që duhet ta zgjidhim këtë konflikt. I kam kërkuar që në se ka raste të dizinformaconit, atëhere Partia Demokratike të denoncojë këto raste, por jo të çakreditohet komplet televizioni. Megjithatë ai tha se do ta rishohë këtë vendim, por si të thuash nuk konsideron fajtor Partinë Demokratike, por konsideron fajtor këtë televizion. Megjithatë, opinioni im si kryetar i shoqatës, apo si koleg, si drejtues i një televizioni, është që nuk është rruga që duhet të zgjidhim konflikte të tilla mes medias dhe politikës.

Mentor Kikia: Unë mendoj që në një konflikt të tillë publik është e domosdoshme që Partia Demokratike duhet të reklamojë në mënyrë publike, arësyet që kanë çuar drejt këtij vendimi. Personalisht mendoj që nuk ka asnjë arësye që të motivojë një vendim të tillë sikundër është bojkoti apo embargoja informative ndaj një media. Unë ende nuk vazhdoj të kuptoj, se si një parti politike të pengojë një media të emetojë informacione mbi aktivitetet e saj. kryetari i një partie, apo drejtuesi i një informaconi çfarëdo mund të mos i lejojë gazetarët apo pronarët e një media të caktuar t’i shkojnë në shtëpinë e tij për vizitë, por kursesi nuk mund t’i pengojë ata që të informojnë publikun për ndodhitë, apo lajmet që prodhohen në selinë e një partie.

Zëri i Amerikës: Zoti Frangaj, në Shqipëri ka raste të shumta të përplasjeve të tensionuara midis shtypit dhe politikës. Cili është mendimi juaj, a vjen kjo si rezultat i gjendjes së shtypit, apo i përpjekjeve të politikës për të ndikuar në të?

Aleksandër Frangaj: Doja të shkoja diçka lidhur me pyetjen e parë, pasi sigurisht asnjeri prej nesh nuk e dëshron që të vazhdojë ky vendim i Partisë Demokratike, por si kryetari i shoqatës do t’i thoja televizionit News 24 që të pranojë gabimet e tij në se ka në raport me Partinë Demokratike, ashtu si do t’i kërkoja publikisht edhe PArtisë Demokratike ta rishikojë sa më parë dhe ta anulojë vendimin për çakreditimin e televizionit News 24. Ndërsa lidhur me pyetjen tuaj, unë do të thoja që në Shqipëri nuk ka media të pavarur. Mund të duket një konstatim disi i ashpër, por unë vërtetë dua ta konfirmoj këtë, që një pjesë e madhe e medias është e shitur, apo e varur nga politika dhe politikanët, ashtu sikurse një pjesë tjetër po aq e madhe është e shitur, apo e varur tek biznesi dhe biznesmenët. Kjo sepse media në Shqipëri është e varfër. Kjo sepse media në Shqipëri, pjesa më e madhe, ose së paku 70 përqind e mediave në Shqipëri, janë me bilanc negativ, që do të thotë janë me humbje. Dhe në kushtet kur media nuk është rentabël, por subvencionohet, atëher enuk mund të kemi media të pavarur. Ne jemi dëshmitarë që një pjesë e mediave të reja të dala pas vitit ’98, ’99 apo 2000, janë media të ngritura jo nga njerëzit e medias, por nga biznesmenë të cilët duke parë kompleksitetin, apo edhe inferioritetin e politikanëve, dhe qeveritarëve tanë, krijuan gazeta apo televizione për të fituar tendera dhe rastet janë të shumta, të bëra dhe publike. Gazeta dhe televizione përdoren nga pronarët e tyre, përdoren nga drejtuesit e tyre, herë në favor të njerës palë, herë në favor të palës tjetër, gjithmonë në interes të biznesit të tyre personal, apo të firmave të tyre dhe jo në interes të opinionit apo publikut.

Zëri i Amerikës: Zoti Kikia, dobësitë e shtypit dhe pikërisht këto kritika të ashpra që bëri kolegu Frangaj, kanë bërë që shtypit t’i humbasë ndikimi i duhur, që mos luajë dot rolin që i tkaon për të informuar me objektivitet publikun dhe për t’i bërë trysni qeverisë. Sa ka rënë besueshmëria e shtypit në Shqipëri?

Mentor Kikia: Unë s’mund të jem veçse në një linjë me zotin Frangaj në këtë drejtim dhe mund të them që besueshmëria e shtypit ka rënë ndjeshëm, pasi shtypi është larguar po kaq ndjeshëm nga problemet që duhet të trajtonte mirëfilli, që burojnë nga shoqëria. Në Shqipëri nuk ka biznese të pastra mediatike, dua të them që mediat ushqehen nga biznese të tjera, biznese të cilat për hir të realitetit shqiptar, për hir të informalitetit të madh të ekonomisë atakohen shumë shpejt me strukturat shtetërore dhe për pasoja mediat janë të ekspozuara ndaj presioneve ekonomike që mund të bëen nga qeveria. Unë besoj se shumë media kanë lindur si suporte për të mbrojtur bizneset e këtyre njerëzve, të cilët më pas i përdorin këto herë për të bër presione ndaj qeverisë, herë për të reklamuar suksese. Në këtë kuadër unë mendoj që ky lloj dueli i qeverisë dhe i pronarëve të këtyre mediave ka përfunduar në një lloj kompromisi që e ka dëmtuar rëndë imazhin e medias. Unë mund t’ju them që kemi patur një rast konkret që në televizionin tonë kemi kritikua rnjë kompani private e cila boton edhe një gazetë për abuzimet që ka bërë me fondet që kishte marrë për punët publike, por kjo kompani është marrë në mbrojtje shumë fort nga qeveria. Më pas kur gazeta e kësaj kompanie filloi të kritikonte qeverinë, ishte po qeveria që njoftonte për shkeljet që kishte bërë kompania. Unë mendoj që ka një mungesë të madhe ndershmërie mes bizneseve që kanë prodhuar media dhe qeverisë. Dhe kjo pa dyshim që ka shkaktuar atë që është sot imazhi më i keq për median shqiptare.

Zëri i Amerikës: Zoti Frangaj, gjihtë këto vërejtje që po bëni ju të dy për shtypin në Shqipëri, para disa kohësh filloi një nismë për shtypin e shkruar, a mendoni se ka një rrugë dalje nga një gjendje e tillë, për të përmirësuar gjendjen e shtypit, qoftë atij të shkruar, qoftë ati elektronik.

Aleksandër Frangaj: Unë nuk mendoj që ai projekt-ligji i paraqitur do ta zgjidhte këtë konflikt, apo këtë problem. Vetëm zhvillimi i mëtejshëm ekonomik i këtyre mediave, rritja dhe përpjekjet e profesionistëve të vërtetë për të ruajtur së pasi integritetin e tyre profesional, qoftë ndajk politikës, qoftë ndaj politikanëve, qoftë edhe ndaj pronarëve apo drejtuesve të tyre, vetëm kjo do të sjellë një përmirësim të cilësisë profesionale dhe të pavarësisë së medias përballë pushtetit. Por përsa kohë pushteti punon përditë për varfërimin e këtyre mediave, përsa kohë Këshilli Kombëtar i Radiotelevizionit është një institucion inekzistent ose si institucioni më i paaftë nga gjithë institucionet e Republikës së Shqipërisë, kur ka liçensuar me dhjetra televizione sa nuk i numëron dot dhe nuk kërkon zbatimin e ligjit tek secili, duke mos garantuar konkurencën e ndershme, e gjitha kjo krijon një rrumpallë televizive, një konkurencë të pandershme dhe një shkatërrim të tregut të medias, sepse është shumë e rëndësishme kjo që do të them: çmimi i publicitetit në Shqipëri është 10 herë më i ulët se në Kosovë, kur Kosova nuk mund të jetë kurrë 10 herë më e përparuar, më e zhvilluar nga ana ekonomike se Shqipëria. Por ama në Kosovë nuk ka patur një KKRT mediokre, por media atje është liçensuar në bazë të standarteve evropiane, qoftë në numër, qoftë në cilësi dhe qoftë në kërkim të rreptësisë të ligjeve dhe të rregullave të vendosura. Kjo ka bërë që të mos shkatërrohet tregu dhe ka krijuar një nivel shtypi mjaft të kënaqshëm të parametrave evropianë. Ndërkohë që ka filuar shumë më vonë se sa media në Shqipëri, por është shumë më e përparuar se sa jemi ne sot. Kështu që vetëm zbatimi rigoros i ligjeve dhe rregullave me standartet evropiane do të mund ta çlirojë këtë media nga varfëria që e ka zënë dhe nga ngërçi i skllavërisë që ajo ndjen sot nga politika, nga qeveria dhe në përgjithësi nga pushteti.

Zëri i Amerikës: Zoti Kikia, stacioni juaj së bashku me TV Klan janë dy nga më të ndjekurit në Shqipëri. Ju keni detyrën e kryeredaktorit, a keni rregulla të brendshme, që politika editoriale, pra vendimet për edicionet e lajmeve të merren në mënyrë të pavarur, jashtë çdo ndikimi?

Mentor Kikia: Personalisht mund të them që në median që punoj ndihem shumë komod, pasi kam bërë një xhiro jo të vogël si të gjithë gazetarët në Shqipëri, në media të ndryshme, ku sundon një paqëndrueshmëri qoftë e gazetarëve, qoftë e drejtuesve. Jam në pozicionet më komode për marrjen e vendime editoriale, por kjo nuk mund të jetë qetësuese, kur shikon që në përgjithësi, niveli dhe lirshmëria e editimit të mediave në Shqipëria lë shumë për të dëshiruar. Duke ndjekur vazhdimisht gazeta dhe televizione në Shqipëri, unë mendoj që është lehtësisht e lexueshme që në faqet e para të gazetave dhe lejmve të televizioneve, të reflektohen marrëdhëniet e pronarëve me institucionet qeverisëse apo me biznese paralele. Është lehtësisht e lexuesme që një gazetë mund të reklamojë punën e qeverisë, apo mund të akuzojë qeverinë dhe kjo do të thotë që pronari i kësaj gazete është në tratativa për realizimin e një kompromisi biznesi.

XS
SM
MD
LG