Lidhje

Plani për tërheqjen e trupave amerikane nën këndvështrimin e analistëve - 2004-08-26


Plani i presidentit Bush për tërheqjen e deri 70 mijë trupave nga bazat amerikane jashtë vendit, ka disa pika specifike, veçanërisht për Azinë. Disa ekspertë mendojnë se Shtetet e Bashkuara duhet të mos e prekin pjesën më të madhe të forcave amerikane në Azi. Megjithëse zyrtarë të Pentagonit kanë thënë se plani për riorganizimin e trupave përfshin tërheqjen e rreth 30 mijë ushtarëve nga Gjermania, ata nuk janë shprehur lidhur me turpat amerikane në Azi.

Presidenti Bush tha se plani parashikon që gjatë dekadës së ardhshme, 60 mijë deri në 70 mijë trupa amerikane të kthehen në Shtetet e Bashkuara nga bazat jashtë vendit. Ky veprim, tha ai, do të ndihmonte në manovrimin më mirë të lëvizjes së trupave amerikane dhe do të pakësonte koston e tyre. Ai nuk dha hollësi lidhur me planin dhe zyrtarët në Washington u thanë gazetarëve se shumica e hollësive do të saktësohen në vitet e ardhshme, në bisedimet me aleatët e Shteteve të Bashkuara.

Nuk është e qartë në se shifra e 70 mijë vetëve përfshin 12 mijë ushtarët për të cilët Pentagoni tha se muajin e kaluar do të tërhiqeshin nga Koreja e Jugut gjatë dy vjetëve të ardhshëm.

Disa analistë thonë se ka disa mënyra për tërheqjen e një numri të madh trupash nga Azia, pa dobësuar përkushtimin e Shteteve të Bashkuara në rajon. Përveç kësaj, ata thonë se në Departamentin e Mbrojtjes aktualisht është folur për lëvizjen e trupave në Azi.

Ekspertja për çështjet e sigurisë në Azi, Sheila Smith, e Qendrës East-West të Hawait, thotë se përveç trupave të këmbësorisë në Korenë e Jugut, një bazë tjetër aziatike ku ka trupa tokësore amerikane është njësia e Tretë e Forcës së Shpejtë të Marinës në ishullin japonez të Okinavës, ku ka më tepër se 15 mijë marinsa.

"Në se do të tërhiqeshin të gjitha trupat e njësisë së Tretë të Forcës së Shpejtë të Marinës, atje do të vendoseshin më tepër trupa japoneze. Por nuk shoh që kjo të ndodhë në të ardhmen e afërt, apo më vonë."- thotë ekspertja.

Por ekspertja thotë se nuk ka të ngjarë që qeveria japoneze të dëshirojë largimin e marinsave, për arsye se kjo mund të krijonte përshtypjen se po dobësohet vendosmëria e Washingtonit për të patur një front të përbashkët me Tokion kundër Koresë së Veriut.

Hideshi Takesada, profesor në Institutin japonez të Studimeve për Mbrojtjen, thotë se është e mundshme tërheqja e disa prej marinsave, ose trupave të tjera amerikane nga Japonia, por vetëm ato të transferohen në territorin amerikan të Guamit. Në këtë mënyrë, trupat do të vazhdonin të mbaheshin në rajonin e Paqësorit, ku mund të ketë pika të nxehta, por në çdo rast, në Shtetet e Bashkuara dhe jo në territor të huaj.

Profesori Takesada thotë, se megjithëkëtë, ai shpreson se në se një numër i madh trupash do të tërhiqeshin nga Azia, ato të jenë nga Koreja e Jugut. Kjo për faktin se qeveria aktuale e Seulit e sheh Korenë e Veriut dhe armët e saj të shkatërrimit në masë, si një një kërcënim më të vogël nga sa e konsiderojnë atë Shtetet e Bashkuara dhe Japonia.

"Mendoj se qeveria e Koresë së Jugut ende është e mendimit se armët e shkatërrimit në masë të Koresë së Veriut i shërbejnë si mjet për të negociuar me botën e jashtme, për të siguruar më tepër ushqime, ose naftë.... Por Shtetet e Bashkuara dhe qeveria japoneze përsëri janë të mendimit se Koreja e Veriut mund t’i verë dikur në përdorim armët e shkatërrimit në masë"- thotë profesori.

Zoti Takesada thotë se Washingtoni dhe Tokio kanë diskutuar për transferimin e disa qindra trupave në Japoni. Shtetet e Bashkuara duan ta transferojnë Korpusin e Parë të Ushtrisë nga baza ku ato ndodhen aktualisht në Fort Lewis në shtetin e Washingtonit, për në Kampin Zama, në periferi të Tokios.

Lee Dong-bok është ekspert në Qendrën e Studimeve Strategjike Ndërkombëtare të Seulit. Ai thotë se vendimi i Shteteve të Bashkuara për pakësimin e forcave në Korenë e Jugut nuk do të thotë pakësimin e aftësisë së këtij vendi për t’u mbrojtur nga një sulm i mundshëm nga Koreja e Veriut.

Megjithatë, thotë zoti Lee, një numër i madh koreanojugorësh ndjejnë shqetësim se përpjekjet për krijimin e një force globale, më të manovrueshme, mund ta tërheqë vëmendjen e Washingtonit larg realitetit në gadishullin korean. Të dy koretë, Veriu komunist dhe jugu kapitalist, thotë eksperti, ndahen nga një kufi i armatosur rëndë dhe teknikisht, vazhdojnë të jenë në gjendje lufte me njëri tjerin, përderisa nuk kanë nënshkruar asnjëherë një traktat paqeje për t’i dhënë fund luftës së Koresë të vitit 1953.

“Kjo do të krijojë shumë komplikacione. Kjo është diçka që do të ndikojë edhe tek shumë çështje të tjera, për shembull, tek lloji i planeve të luftës që ne kemi, më konkretisht, tek plani i operacioneve”, - thotë zoti Lee.

Eksperti Lee megjithatë, thotë se shpreson se në përgjithësi, nuk do të ketë një pakësim të konsiderueshëm të forcave amerikane në rajonin e Paqesorit. Ai thekson se megjithëse numri i trupave tokësore në Korenë e Jugut do të pakësohet, Washingtoni është zotuar ta rrisë praninë e forcës ajrore dhe marinsave në Azinë Verilindore dhe se këto njësi mund të ndihmojnë në mbrojtjen e Koresë së Jugut.// lk //

XS
SM
MD
LG