Lidhje

Drejtori i CIA-s do të ketë kompetenca edhe më të gjera - 2004-08-28


Drejtori i Agjencisë Qendrore të Zbulimit do të ketë kompetenca akoma më të gjera, sipas një plani të Presidentit Bush për të modernizuar grumbullimin e informacioneve të zbulimit në epokën e sotme të kërcënimeve terroriste. Siç njofton nga Shtëpia e Bardhë korrespodenti i Zërit të Amerikës, Scott Stearns, ky është njëri në serinë e urdhërave ekzekutivë të propozuara nga një komision hetimor për sulmet terroriste të 11 Shtatorit.

Presidenti Bush thotë se drejtori i ri CIA-s do të jetë zyrtari i vetëm që do të bashkërendojë të gjitha aktivitetet e shërbimeve të zbulimit amerikan brenda dhe jashtë vendit. Ky autoritet do ti kalojë më pas drejtorit të Zbulimit Kombëtar, pasi Kongresi Amerikan të miratojë krijimin e këtij posti të ri.

Presidenti ka urdhëruar krijimin e një qendre kombëtare kundër terrorizmit për të organizuar të dhënat rreth terroristëve të njohur dhe atyre të dyshuar dhe për të nxjerrë një raport të përditshëm rreth terrorizmit.

Ai gjithashtu ka urdhëruar krijimin e një bordi të lirive civile për të vëzhguar praktikat e shkëmbimit të informacionit. Në fjalimin e përjavshëm në radio, Presidenti Bush tha se këto ndryshime do ta bëjnë vendin më të sigurt.

”Amerika po përballet me një rrezik të madh dhe qeveria jonë po bën çdo gjë që ka në dorë për tu përballur me këtë rrezik dhe për ta mposhtuar atë. Ne kemi bërë përparim të madh kundër terroristëve që kërkojnë të dëmtojnë popullin tonë. Kemi bërë përparim të madh për të mbrojtur vendin tonë. Në të ardhmen Amerika do të qendrojë e përqendruar dhe e vendosur në objektivin e saj dhe ne do të fitojmë,” tha presidenti.

Shumë prej këtyre ndryshimeve u rekomanduan nga komisioni për hetimin e sulmeve terroriste të 2001-shit në Nju Jork dhe Uashington.

Presidenti Bush ka bërë të ditur mbështetjen e tij për krijimin e postit të një Drejtori të Zbulimit Kombëtar, por ende nuk është e qartë nëse ky person do të ketë autoritetin financiar të propozuar nga raporti përfundimtar i komisionit.

Urdhërat ekzekutive të Presidentit bëjnë të qartë se ai do të mbështesë këtë autoritet më të gjërë në negociatat me Kongresin për të krijuar postin e ri.

Pritet që ligjvënësit ta shqyrtojnë këtë çështje kur të rifillojnë sesionet në fillim të muajit shtator. Presidenti Bush u ka kërkuar senatorëve që të konfirmojnë sa më shpejt drejtorin e ri të CIA-s, kongresmenin e Floridës Porter Gos, i cili do t’i zinte vendin ish drejtorit Xhorxh Tenet.

XS
SM
MD
LG