Lidhje

Rusi: Në dy avionët e rrëzuar janë gjetur gjurmë lëndësh plasëse - 2004-08-29


Autoritetet ruse thonë se kanë gjetur gjurmë lëndësh plasëse në mbeturinat e të dy avionëve që u rrëzuan të martën.

Hetuesit thonë se gjurmë të heksogjenit ishin gjetur në rrënojat e avionit që u rrëzua në rajonin Tula, në Jug të Moskës. Thuhet se gjurmë të të njëjtës lëndë plasëse janë gjetur edhe në rrënojat e avionit të dytë që u rrëzua disa qindra kilometra më në jug, pranë qytetit Rostov mbi Don.

Të dy avionët ishin nisur nga i njëjti terminal i Aeroportit Domodedovo të Moskës. Zyrtarët i kanë përqendruar hetimet tek dy udhëtare, emrat e të cilave duket të jenë çeçenë. Ato janë të vetmet viktima, familjet e të cilave nuk janë paraqitur për të kërkuar trupat e tyre.

Një grup islamik që e quan veten Brigadat Islambuli mori përgjegjësinë të premten për rrëzimin e avionëve, duke përmendur si arsye solidaritetin me separatistët çeçenë.

XS
SM
MD
LG