Lidhje

Nju Jorku gati për kuvendin e Partisë Republikane - 2004-08-29


Mijëra delegatë, gazetarë dhe protestues po mblidhen në New York, për të ndjekur Kuvendin Kombëtar Republikan, ku Presidenti Bush do të marrë zyrtarisht emërimin për të konkuruar për një mandat të dytë. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Jim Malone njofton se presidenti dhe ekipi i tij shpresojnë t’i forcojnë pozitat me kuvendin katërditor.

Të enjten, kur të mbajë fjalimin për të pranuar emërimin në Kuvendin Kombëtar Republikan, Presidenti Bush do të ketë shansin më të mirë për t’i shpjeguar popullit amerikan se pse e meriton një mandat të dytë në Shtëpinë e Bardhë.

Në fakt këtë ai po përpiqet ta bëjë ndërsa bën fushatë në gjithë vendin.

“Po e kërkoj votën tuaj sepse kemi ende shumë punë për të bërë, që ta çojmë vendin përpara. Duhet të bëjmë më shumë për të hapur vende pune dhe për të përmirësuar shkollat, që nga lufta kundër terrorizmit dhe përhapja e paqes. Ne kemi bërë shumë përparim dhe do të bëjmë edhe më shumë, në emër të popullit amerika”.

Ashtu si edhe në kuvendit demokrat muajin e kaluar në Boston, nuk do të ketë shumë surpriza as gjatë takimit republikan.

Në Kuvendin e New Yorkut, republikanët pritet që ta vënë theksin tek udhëheqja e presidentit në luftën kundër terrorizmit dhe tek plani i tij për uljen e taksave.

Kreu i komitetit kombëtar republikan, Ed Gillespie, thotë gjithashtu se partia e tij do që të dallohet nga demokratët, duke e drejtuar vëmendjen tek e ardhmja.

“Ne duam të themi se çfarë do të bëjmë gjatë 4 viteve të ardhshëm, të flasim për ato që ka bërë presidenti. Në Boston demokratët nuk deshën të flisnin për ato që ka bërë senatori Kerry. Ndërsa ne do të flasim për punën e presidentit Bush dhe për politikat e së ardhmes”.

Zoti Gillespie thotë se tema e përgjithshme e kuvendit do të jetë krijimi i një bote më të sigurt dhe i një Amerike me më shumë shpresa.

Por rivali i presidentit, demokrati John Kerry i sulmoi paraprakisht republikanët, gjatë një fjalimi kohët e fundit në New York:

“Bota do të dëgjojë atë që do të thonë republikanët, kur ata të vijnë këtu. Por fjalët, slloganet dhe sulmet personale nuk mund të maskojnë atë që ata kanë bërë, ose që kanë lënë pa bërë. Realiteti nuk mund të fshihet pas sloganesh të zbrazëta. Nuk mund të udhëheqësh Amerikën, duke keqinformuar popullin amerikan”.

Në të kaluarën, ishin kuvendet e partive që zgjidhnin kandidatët presidencialë. Por në fund të viteve 1960, zgjedhjet paraprake presidenciale të mbajtura nga shtetet filluan të luajnë një rol më të madh në përcaktimin e kandidatëve për president.

Anketat pas kuvendit të demokratëve treguan se pozitat e kandidatit të tyre Kerry nuk u forcuan shumë pas këtij kuvendi. Shumë analistë politikë thonë se nuk është e qartë nëse pozitat e presidentit do të forcohen nga kuvendi i republikanëve, pasi duket se shumë votues kenë vendosur tashmë se për kë do të votojnë në nëntor.

XS
SM
MD
LG