Lidhje

Shqipëri: varfëri ekstreme në shumë komuna të qarkut të Shkodrës - 2004-08-29


Banorët e 15 komunave në qarkun e Shkodrës, jetojnë në kushtet e varfërisë ekstreme, me më pak se 130 lekë në ditë për frymë. Ndërsa, rreth 80 përqind e familjeve fshatare në 4 komunat e thella malore të këtij qarku jetojnë vetëm me ndihmën ekonomike, që u jep çdo muaj shteti. Këto të dhëna janë publikuar në studimin Nxitja e zhvillimit në qarkun e Shkodrës, studim ky i mbështetur nga Programi i Zhvillimit i Kombeve të Bashkuara.

Banorët e komunave të largëta malore në Qarkun e Shkodrës përballen me vështirësi të mëdha ekonomike për shkak të largësisë së madhe nga zonat e banuara urbane, mungesës së tregut të shitjes, të ardhurave të pamjaftueshme, por edhe infrastrukturës së shkatërruar.

Sipas studimit për nxitjen e zhvillimit rajonal të Qarkut të Shkodrës, realizuar me mbështetjen e Programit të Zhvillimit të Kombeve të Bashkuara (UNDP), në zonën fshatare të Qarkut të Shkodrës përfitojnë pagesën e ndihmës ekonomike rreth 30% e familjeve, të cilat çdo muaj marrin nga shteti një pagesë prej rreth 20 dollarë.

Por situata duket më e rënduar në 4 komuna malore të këtij Qarku, dhe pikërisht atë të Shllakut, Pultit, Shoshit dhe Kelmendit, ku mbi 80% e familjeve jetojnë kryesisht me ndihmën ekonomike që u jep shteti.

Të dhenat e publikuara nga studimi i mbështetur nga Programi i Zhvillimit i Kombeve të Bashkuara dëshmon se banorët e 15 komunave të Qarkut të Shkodrës jetojnë në kushtet e varfërisë ekstreme. Të ardhurat e këtyre banorëve janë më të pakta se 130 lekë për frymë në ditë.

Kjo situatë e rënduar ekonomike ka nxitur emigracionin ilegal kryesisht drejt Europës. Rreth 36% e familjeve fshatare të Qarkut kanë të paktën një pjestar të tyre në emigracion të perhershëm ose sezonal.

Ndërkohë, përfaqesues të Ministrisë së pushtetit vendor dhe decentralizimit pranojnë se, megjithëse Qarku i Shkodrës ka pasuri të shumta natyrore, niveli i zhvillimit ekonomik është më i ulët se ai i disa zonave të tjera të vendit.

Zëvendësministrja Natasha Paço thotë se pushteti vendor dhe strukturat e tij duhet të bëjnë më shumë përpjekje për të rritur nivelin e të ardhurave të veta dhe për të nxitur dhe mbeshtetur zhvillimin e zonave më të varfëra.

Të ardhurat e veta për Qarkun e Shkodrës zenë 37% te buxhetit vendor ndërsa transferta nga buxheti i shtetit për këtë vit ka qenë 63%. Kjo përqindje është e krahasueshme me qarqet e Beratit, Lezhës, Gjirokastrës, të cilët kanë një numër popullsie dhe potenciale më të ulta se Qarku i Shkodrës.

Edhe për këtë vit, ecuria e mbledhjes së të ardhurave të veta, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, është e njëjtë. Prandaj, kërkohet një angazhim më i madh për periudhën e mbetur.

Krahas decentralizimit fiskal, për vitin e ardhshëm qarqet, bashkitë dhe komunat do të kenë më shumë kompetenca në fushën e arsimit, shëndetësisë dhe shërbimit social.

Zëvendesministrja e pushtetit vendor dhe decentralizimit thotë se, ne kuadër të thellimit të procesit të decentralizimit, qeveria shqiptare që tani ka marre vendimet e nevojshme për t’ia kaluar këto kompetenca strukturave vendore, duke synuar që të rrisë pergjegjësitë e pushtetit vendor, në sherbimet për komunitetin.//ii

XS
SM
MD
LG