Lidhje

Presidenti Moisiu takohet me presidentin afgan Hamid Karzai - 2004-08-29


Presidenti i Shqipërisë Alfred Moisiu ishte të dielën në kryeqytetin e Afganistanit, Kabul, ku u takua me homologun e tij afgan, Hamid Karzai. Zoti Moisiu vizitoi gjithashtu edhe trupat shqiptare që shërbejnë në kuadrin e forcës shumëkombëshe në Afganistan. Të dy presidentët diskutuan mbi planet e Shqipërisë për të dërguar trupa-shtesë në Kabul në një të ardhme të afërt.

Zoti Moisiu u tha më pas gazetarëve se Shqipëria po përgatitet të dërgojë personel të përbashkët ushtarako-mjekësor me dy vende të tjera ballkanike, Kroacinë dhe Maqedoninë.

Aktualisht në Afganistan shërbejnë 22 ushtarakë shqiptarë në kuadër të Forcës Ndërkombëtare të Ndihmës për Sigurimin Ndërkombëtar.

Kjo forcë u krijua në dhjetor të vitit 2001 pas përmbysjes së regjimit taleban. Ajo drejtohet nga Natoja dhe garanton sigurinë për qeverinë afgane dhe përreth Kabulit. Kjo forcë përbëhet nga 6 mijë e 500 trupa nga më shumë se 30 vende dhe ndihmon gjithashtu në riparimin e infrastrukturës së dëmtuar nga konfliktet që kanë zgjatur me dekada në këtë vend.

Gjatë vizitës së tij, Presidenti Moisiu i dorëzoi medalje komandantit shqiptar dhe kaloi kohë me ushtarët, doli në fotografi me ta dhe vizitoi kazermën e tyre.

Dje zoti Moisiu ishte në Pakistan, ku zhvilloi bisedime me autoritetet e vendit, përfshirë kryeministrin pervez Musharraf, për nxitjen e tregëtisë dhe zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve ekonomike.

XS
SM
MD
LG