Lidhje

Irak: Moktada al-Sadër bën thirrje për ndalimin e luftimeve - 2004-08-30


Kleriku radikal shiit, Moktada al-Sadër u bëri thirrje pasusve të tij në të gjithë Irakun që të ndalojnë luftimet kundër forcave amerikane dhe atyre të qeverisë irakiane. Ndihmësit e tij të lartë thonë se brenda disa ditësh kleriku do të njoftojë planet për një lëvizje të madhe politike.

Njoftimi i sotëm bëhet 3 ditë pasi milicia Mahdi e klerikut al-Sadër ndaloi luftimet kundër trupave amerikane dhe irakiane në qytetin e shenjtë të Naxhafit. Marrëveshja e paqes e arritur nga autoritetet fetare të vendit i dha fund luftimeve 3 javore nga të cilat humbën jetën dhjetra trupa irakiane dhe amerikane. Por që atëhere, në pjesë të tjera të Irakut ka patur luftime sporadike.

Duket se armëpushimi përmbush edhe një kërkesë të kryeministrit irakian Iyad Allawi, i cili ka bërë thirrje për shpërbërjen e milicisë Mahdi dhe shndërimin e saj në një lëvizje politike.

Ndërkohë, ministri i jashtëm i Francës Michel Barnier bëri thirrje për lirimin e 2 gazetarëve francezë të rrëmbyer në Irak para 10 ditësh; por qeveria franceze tha se nuk do të përulet para kërkesave të rrëmbyesve, të cilët thonë që Parisi duhet të anullojë vendimin për ndalimin e mbajtjes së shamive të kokës nga vajzat myslimanë në shkollat franceze.

Të shtunën, rrëmbyesit kërkuan që ky vendim të anulohej brenda 48 orësh.

Ndërkohë, Amr Musa, Kryetari i Lidhjes Arabe prej 22 anëtarësh, bëri gjithashtu thirrje për lirimin e gazetarëve. Sipas agjencisë së lajmeve Rojter, një thirrje të ngjashme bëri në Bagdat një shoqatë klerikësh myslimanë suni.

Dje, udhëheqësi palestinez Jaser Arafat u bëri gjithashtu thirrje rrëmbyesve që t’i lirojnë gazetarët, duke e cilësuar Francën “një mike të mirë” të popullit palestinez.

//ze//

XS
SM
MD
LG