Lidhje

Në Hagë rifilloi procesi kundër Sllobodan Millosheviçit - 2004-09-01


Slobodan Millosheviçi i quajti akuzat kundër tij gënjeshtra të paskrupullta dhe shtrembërim të historisë. Ai tha se një shtet shumë etnik dhe me shumë besime u shkatërrua dhe se ky ishte një krim i tmerrshëm ndërkombëtar.

Zoti Millosheviç theksoi se veprimet e Serbisë ishin përgjigje ndaj veprimeve të grupeve të tjera etnike dhe ndaj kërcënimeve të jashtme nga ekstremistë islamikë të cilën përfituan nga tensionet e brendshme në Jugosllavi për të krijuar probleme në Ballkan.

Millosheviçi i tha gjykatës së Hagës se mijëra serbë ishin vrarë dhe larguar nga shtëpitë e tyre në Kroaci para se të ndërhynte ushtria jugosllave. Ai e quajti atë një rebelim kundër shtetit dhe tha se një shtet ka të drejtë të kontrollojë rebelimin.

Zoti Millosheviç e ka akuzuar gjykatën se është treguar e njëanshme ndaj tij dhe popullit serb dhe se gjykimi ka për qëllim të fshehë krimet e luftës së NATO-s në Kosovë.

Ish udhëheqësi përballet me më shumë se 60 akuza për gjenocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit gjatë konflikteve ballkanike të viteve 90-të ku u vranë më shumë se 200 mijë njerëz.

Zoti Millosheviç dëshiron të ftojë mbi 1000 dëshmitarë, përfshirë edhe ish presidentin Bill Clinton dhe kryeministrin Toni Blair.

Ish udhëheqësi jugosllav ka në dispozicion 150 ditë për të paraqitur argumentet e tij të mbrojtjes. Nëse shpallet fajtor për ndonjërën nga akuzat, ai mund të dënohet me burgim të përjetshëm.

Prokurorët e përfunduan paraqitjen e akuzave në janar pasi kishin dëgjuar më shumë se 290 dëshmitarë. Gjykatësit mbetet të vendosin nëse do ta refuzojnë kundërshtimin për ti caktuar një avokat mbrojtës zotit Millosheviç i cili tani për tani po e bën vet mbrojtjen e tij. Zoti Millosheviç ka vuajtur nga tensioni i lartë i gjakut, gripi, dhe lodhja e tepërt, gjë që ka shkaktuar shtyrje të shumta të gjykimit.

Ndërkohë gjykata e Kombeve të Bashkuara për krimet e luftës dënoi një ish zyrtar serb të Bosnjës me 32 vjet burgim për rolin e tij në spastrimin etnik, por e liroi atë nga akuzat për genocid. Gjykata e Hagës dënoi Radoslav Brdjanin për dëbimin, torturimin dhe vrasjen e mijëra myslimanëve dhe kroatëve në fillim të konfliktit në Bosnjë.

Brdjani ka shërbyer si zyrtar i lartë i shtetit të vetshpallur që serbët kishin vendosur në veriperëndim të Bosnjë Hercegovinës në vitin 1992.

XS
SM
MD
LG