Lidhje

OKB-ja dënon rrëmbimin e pengjeve në Rusi - 2004-09-02


Këshilli i Sigurimit i OKB-së dënoi me forcë mbajtjen peng të 400 vetëve në një shkollë në Rusi, ndërkohë që kriza hyri në ditën e saj të dytë.

Në një takim urgjent me kërkesën e Rusisë, këshilli 15 anëtarësh bëri thirrje për lirimin e menjëhershëm të pengjeve, duke thënë se çdo akt terrorizmi kundër civilëve të pafajëshëm është një akt kriminal i paarsyetueshëm. Këshilli u bëri thirrje të gjitha vendeve anëtare të bashkëpunojnë me autoritetet ruse për zgjidhjen e krizës. Ambasadori amerikan, John Danforth, i cilësoi rrëmbyesit e pengjeve si njerëzit më të ulët.

Persona të armatosur, të pajisur me lëndë plasëse, vërshuan të merkurën në shkollën e Beslanit në Osetinë Veriore, duke kërkuar që Rusia të lironte kryengritësit çeçenë. Ata po kërcënojnë se do të vrasin 50 fëmijë për çdo rrëmbyes që vritet. Të paktën dy persona kanë humbur jetën deri tani, përfshirë një prind i cili kundërshtoi rrëmbyesit.

Një përfaqësues i udhëheqësit kryengritës çeçen, Asllan Maskhadov, mohoi çdo pjesëmarrje në këtë veprim.

Këshilli i Sigurimit dënoi edhe shpërthimin vetëvrasës të së martës pranë një stacioni të metrosë në Moskë që shkaktoi vdekjen e 10 vetëve, si edhe rrëzimin e dy avionëve rusë udhëtarësh që shkaktoi vdekjen e 90 personave. Autoritetet dyshojnë se pas këtyre tre sulmebe ishin rebelët çeçenë.

XS
SM
MD
LG