Lidhje

Shqipëri: shefat e diplomacisë evropiane shprehin shqetësim për incidentin e Lazaratit - 2004-09-02


Shefat e misioneve diplomatike të vendeve të Bashkimit Evropian në Shqipëri u shprehën sot me anë të një deklarata të përbashkët se janë seriozisht te shqetësuar nga incidenti i ndodhur në Lazarat të Gjirokastrës dy javë më parë ku u qëllua një helikopter italian. Ata kanë kërkuar arrestimin dhe vënien përpara drejtësisë të personave përgjegjës të këtij akti kriminal, thuhet në deklaratë. Shefat diplomatikë perëndimorë pohojnë se lufta ndaj krimit të organizuar e trafiqeve duhet të mbështetet nga e gjithë klasa politike shqiptare, shoqëria civile, mediat dhe opinioni publik. Dekalarata u përkrah plotësisht në mbrëmje edhe nga përfaqësia diplomatike e SHBA në Tiranë.

Ngjarja e Lazaratit përveç përplasjeve të forta politike tërhoqi vëmendjen e vecantë të diplomacisë perëndimore në Tiranë. Nga njëra anë Ministria e Rendit vuri në dispozicion të gjitha pamjet dhe provat që ajo dispononte.

Të njejtën gjë e bëri dhe Partia Demokratike e cila këmbënguli në versionin se helikopteri italian kishte qëlluar mbi fshatin Lazarat dhe popullsinë e tij.

Sot në një deklaratë të përbashkët shefat e misioneve të vendeve të Bashkimit europian si dhe përfaqësia e delegacionit të Komisionit Europian në Tiranë dolën me një deklaratë të përbashkët me anë të së cilës ata u shprehën seriozisht të shqetësuar nga incidenti gjatë të cilit një numër i paidentifikuar njerëzish hapën zjarr mbi helikopterin italian i cili ishte në një mision rutinë monitorimi të plantacioneve të mbjella me canabis sativa në këtë zonë, thuhet në deklaratë.

Përfaqësuesit perëndimorë e kanë konsideruar këtë incident si një akt të rëndë kriminal dhe nënvizojnë faktin se personat përgjegjës duhet të arrestohen dhe ndiqen ligjerisht.

Në të njejtën kohë ata venë në dukje se respekti ndaj shtetit ligjor dhe lufta kunder krimit të organizuar dhe trafiqeve ilegale në të gjithe vendin janë elementë thelbesorë për zhvillimin e marrëdhenieve mes Shqiperise dhe BE.

Përfaqësuesit më të lartë të vendeve perëndimore në Tiranë kanë theksuar se kjo luftë duhet të mbështetet plotësisht dhe të gëzojë angazhimin total të klasës politike, shoqërise civile, mediave dhe opinionit publik. Ata kanë inkurajuar me anë të deklaratës autoritetet shqiptare që të vazhdojnë përpjekjet e tyre dhe të ndërmarrin një qasje aktive në këtë fushë duke përsëritur gatishmërine e tyre për të vazhduar të japin të gjithë mbështetjen e tyre pa rezerva.

Deklarata e vendeve të BE u përkrah pak orë më pas edhe nga ambasada amerikane, në një njoftim të shpërndarë prej saj thuhet se SHBA e mirëpret deklaratën e BE që dënon sulmin e 18 gushtit kundër një helikopteri të policisë italiane në Lazarat. Qëndrimi amerikan lidhur me këtë çështje përputhet plotësisht me atë të vendeve europiane. Edhe në deklaratën e SHBA theksohet se respektimi i shtetit ligjor dhe vazhdimi i luftës kundër të gjitha formave të krimit, përfshirë narkotrafikun, janë elementr kyç të përparimit të Shqipërisë drejt synimit të saj per integrim të plote në institucionet euroatlantike. Për të patur sukses ne besojmë – shkruhet në deklaratë - se lufta kunder krimit korrupsionit dhe narkotrafikut kërkon mbështetjë të plotë anembanë Shqipërisë.

Ngjarja e Lazaratit e acaroi së tepërmi klimën politike në vend. Partia më e madhe e opozitës akuzoi qeverinë dhe ministrinë e rendit se kishte parapërgatitur një skenar që synonte gjakderdhjen në Lazarat. Pikërisht këto deklarata bënë që socialitët të sulmonin ashpër duke u shprehur se partia demokratike po del në mbrojtje të kultivuesve të drogës. Por pak ditë më vonë me anë të një deklarate të posaçme kryetari i partisë demokratike Sali Berisha u shpreh se partia e tij është për tolerancë zero ndaj mbljelljes, kultivimit e trafikimit të drogës kudo qoftë dhe se për ngjarjen e Lazaratit ata kishin kërkuar vetëm zbardhjen e së vërtetës.

Klima e krijuar rreth kësaj ngjarjeje bëri që ditët e fundit vetë banorët e Lazaratit të shkatërronin sipërfaqet e mbjella me marihuanë.//ii

XS
SM
MD
LG