Lidhje

Shqipëria përgatitet për ndeshjen me kombëtaren greke të futbollit - 2004-09-03


Kryeqyteti shqiptar është veshur kuqezi në pritje të ndeshjes së futbollit mes kombëtares së Shqipërisë dhe Greqisë, kampiones së re të Europës e cila do të zhvillohet të shtunën.

Në rrugët kryesore kanë nisur të shiten kapele, flamuj apo shalle me simbolet kombëtare, të cilat që sot shihen të valëviten në makinat e tifozëve të shumtë. Për shqiptarët ndeshja me Greqinë ka dhe disa arsye më tepër për t’u pritur me ankth dhe dëshirë për fitore. E para sepse ekipi kundërshtar sapo është shpallur kampion i Europës. E dyta sepse me fqinjin jugor ka ekzistuar gjithnjë një rivalitet ku ndjenja kombëtare ka ngritur krye me forcë.

Futbollistët shqiptarë janë deklaruar optimistë për një rezultat pozitiv. Të njëjten gjë e ka shprehur dhe trajneri gjerman i ekipi Hans Peter Briegel i cili kërkoi mbështetjen e tifozerisë shqiptare gjatë 90 minutave të ndeshjes. Greqia nuk ka mundur asnjëherë të fitojë me ekipin shqiptar në Tiranë. Tre vjet më parë ajo u mund 2 me 0.

Trajneri gjerman i Greqisë Otto Rehagel tha se skuadra e tij do të kërkojë ta thyejë këtë seri negative. Ai u tregua i përmbajtur ne deklarimet e tij kur u shpreh se asnjë ekip nuk është i favorizuar. Rehagel ka deklaruar se një pjesë e lojtarëve të tij nuk janë në fomën më te mirë pasi ende nuk kanë luajtur me skuadrat ku aktivizohen.

Trajnerët e të dy skuadarave ndonëse vijnë nga i njëjti shtet nuk kanë marrëdhënie të mira me njeri tjetrin, për shkak të konflikteve që kanë patur në të kaluarën kur ishin të angazhuar se bashku në një nga ekipet e bundesligës gjermane. Një fakt tjetër që e bën sfidën e së shtunës akoma më të ashpër.

Për rëndësinë e ndeshjes flet edhe shpërblimi që u është premtuar futbollistëve shqiptarë. Mbrëmë gjatë një takimi me ta kryeministri Fatos Nano deklaroi se në dispozicion të tyre do të jenë gjysëm milioni dollarë, një fond i përbashkët i qeverisë, Federatës dhe biznesit shqiptar. Ky është shpërblimi më i madh i premtuar ndonjëherë për ekipin e futbolit.

Ankthi i ndeshjes është paraprirë nga etja për bileta. Më të shtrenjta se kurrë ndonjëherë ato janë zhdukur nga sportelet dhe pjesa më e madhe ka përfunduar në tregun e zi ku shiten me çmime disa herë më të larta.

XS
SM
MD
LG