Lidhje

Ish-presidenti Clinton, ndërhyrje kirurgjikale në zemër - 2004-09-04


Ish-presidenti Bill Clinton do t’i nënshtrohet një ndërhyrjeje kirurgjike në zemër në fillim të javës tjetër, pasi analizat treguan se ai ka bllokime në arteriet koronare.

Zoti Clinton, i cili nuk ka vuajtur ndonjëherë nga zemra, pritet të shërohet plotësisht pas operacionit. Ai do të qendrojë në spital 7 ditë dhe do të pushojë në shtëpi të paktën 4 javë.

58 vjeçari Clinton u shtrua dje në një spital të Nju Jorkut me këshillën e mjekëve sepse një ditë më parë ishte ankuar për dhimbje në kraharor dhe se i merrej fryma.

Sipas njoftimeve të pakonfirmuara, zoti Clinton do t’i duhet të bëjë bajpas të katërfishtë.

Të premtën ish-presidenti i telefonoi rrjetit CNN nga shtrati i tij i spitalit dhe e pranoi se ndihej pak i frikësuar. Ai tha gjithashtu se angiograma që kishte bërë dje, e cila tregoi se kishte bllokime të arterieve, ndoshta i shpëtoi jetën.

Ish-presidenti Clinton mori një telefonata nga Presidenti Bush, Senatori John Kerry dhe Kryeministri britanik Tony Blair të cilët i uruan shërim të shpejtë.

Zoti Klinton ka shërbyer në Shtëpinë e Bardhë për dy mandate radhazi, nga viti 1993 deri në vitin 2001.

Bajpasi i zemrës - një procedurë e zakonshme

Operacioni i bajpasit të zemrës po bëhet një procedurë gjithnjë e më e zakonshme.

Kjo ndërhyrje është e nevojshme kur një ose më shumë arterie që çon gjakun dhe oksigjenin në zemër zihet nga një lëndë yndyrore dhe nuk zhbllokohet dot pa ndërhyrje kirurgjikale.

Gjatë këtij lloj operacioni, kirurgët krijojnë një urë përreth vendit të bllokuar, duke i rikthyer gjakun muskulit të zemrës. Kjo e zbut dhimbjen e gjoksit dhe ul rrezikun e atakut në zemër.

Një paciet mund t’i nënshtrohet një ose më shumë operacioni bajpas, në varësi të faktit se sa arterie koronare janë bllokuar.

Shumica e pacientëve që kanë kaluar bajpas vazhdojnë jetën normalisht.

Në Shtetet e Bashkuara kryhen më shumë se 500 mijë operacione të tilla në vit.//az//

XS
SM
MD
LG