Lidhje

Maqedoni: Referendumi për decentralizimin dhe e ardhmja e vendit - 2004-09-04


Në Maqedoni partitë e koalicionit qeveritar, Lidhja Socialdemokrate maqedonase dhe Bashkimi Demokratik për Integrim do t’i bëjnë thirrje elektoratit që të mos mbështesin referendumin kundër planit të decentralizimit. Nënkryetarja e Bashkimit Demokratik për Integrim, Teuta Arifi, në një intervistë për Zërin e Amerikës thotë se qytetarët e Maqedonisë, qofshin maqedonas apo shqiptarë, duhet të tregohen të vetëdijshëm dhe të mos mbështesin këtë referendum kundër decentralizimit të pushtetit.

Zëri i Amerikës: Parlamenti maqedonas ka shpallur referendumin mbi planin e decentralizimit të pushtetit në Maqedoni. Cili është qendrimi juaj për këtë nismë të mbështetur nga opozita maqedonase ?

Teuta Arifi: Ne, si parti politike, e kemi kryer obligimin tonë; me punën tonë kemi arritur që në Parlament të kalojnë ligjet për decentralizim dhe ligjet tjera që kanë të bëjnë me Marrëveshjen e Ohrit. Në këtë moment, ne do të presim të shohim se cilat janë rezultatet e referendumit. Shpresojmë se qytetarët e Maqedonisë, qofshin ata maqedonas apo shqiptarë, do të tregohen të vetëdijshëm dhe nuk do ta mbështesin këtë nismë të Kongresit Botëror Maqedonas për referendum njënacional, për shkak se vonohet procesi i rëndësishëm i realizimit të Marrëveshjes së Ohrit.

Zëri i Amerikës: Subjektet politike dhe shoqatat joqeveritare shqiptare në Maqedoni vlerësojnë se ky referendum është mesazh i qartë se maqedonasit nuk dëshirojnë të shprehin tolerancë ndaj të drejtave dhe kërkesave të shqiptarëve etnik në këtë vend. Sa janë reale këto vlerësime ?

Teuta Arifi: Normalisht, në Maqedoni akoma ka forca politike që janë kundër Marrëveshjes së Ohrit. Një forcë e tillë politike është Kongresi Botëror Maqedonas që hapur ka treguar se është kundër kësaj marrëveshje paqësore. Gjithashtu, opozita maqedonase është angazhuar për suksesin e referendumit. Mirëpo, ne nuk dëshirojmë të përgjithësojmë gjërat dhe të themi se të gjithë maqedonasit etnikë janë kundër Marrëveshjes së Ohrit. Prandaj, referendumi është një shans, që faktikisht edhe bashkëqytetarët maqedonas të tregojnë se Marrëveshja e Ohrit është perspektivë e vetme për të gjithë qytetarët dhe për një Maqedoni evropiane dhe evroatlantike.

Zëri i Amerikës: Këtë vit është shënuar trevjetori i nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit. Sa është realizuar kjo marrëveshje paqësore, që parandaloi konfliktin e armatosur në vitin 2001 në Maqedoni ?

Teuta Arifi: Marrëveshja e Ohrit është marrëveshje politike paqësore e arritur pas konfliktit të armatosur, për realizimin e së cilës përgjegjës janë subjektet politike në Maqedoni, por në të njejtën kohë edhe nënshkruesit si SHBA-të dhe Bashkimi Evropian. Ne mendojmë, që falë kësaj marrëveshjeje është arritur që të rikthehet paqja në Maqedoni. Kemi arritur që të fillojmë shumë procese të rëndësishme që kanë të bëjnë me raportet ndëretnike, është arritur të zgjidhja e disa të drejtave të shqiptarëve siç janë arsimimi i lartë në gjuhën shqipe, Universiteti i Tetovës, ndarja territoriale, përfaqësimi i drejtë në institucionet shtetërore. Normalisht që dinamika mund të jetë akoma më e shpejtë, megjithatë konsiderojmë se Marrëveshja e Ohrit është garancë e vetme dhe prespektiva e Maqedonisë.

Zëri i Amerikës: Ju jeni edhe kryetare e Komisionit Parlamentar për Politikë të Jashtme në Parlamentin. Zhvillimet aktuale në Maqedoni, a mendoni se mund të pengojnë proceset integruese ne NATO dhe Bashkimin Evropian ?

Teuta Arifi: Mendoj se këto zhvillime nuk mund të rrezikojnë por mund të vonojnë proceset e filluara evroatlantike. Në Shkup së shpejti Bashkimi Evropian do të sjellë pyetësorin për pëmbushjen e kushteve pë anëtarësim. Nga ana tjetër, është shumë e qartë se shtyerja e zgjedhjeve dhe shtyerja e jetësimit të planit të decentralizimit do të pengoj proceset integruese në NATO dhe BE . Vonimi nuk është interes i qytetarëve, por disa subjekte politike me anë të aktiviteteve të tyre, siç është edhe referendumi, dëshirojnë të provojnë forcat e veta. Përfaqësuesit ndërkombëtarë, SHBA-të, NATO dhe BE janë partnerë të rëndësishëm të Maqedonisë në proceset e stabilizim-asocimit. Qytetarët dhe subjektet politike duhet të ndjekin mesazhet e përfaqësuesve ndërkombëtare, se referendumi mund të shtyej procesin e integrimit te vendit në strukturat evroatlantike. //az//

XS
SM
MD
LG