Lidhje

Pengjet: mjet i preferuar për terroristët - 2004-09-04


Marrja e pengjeve është një mjet i preferuar për terroristët në gjithë botën. Shpesh këto kriza përfundojnë në tragjedi siç ishte rasti i Rusisë këtë javë. Suksesin në zgjidhjen e këtyre krizave e ndan një fill thuajse i padukshëm nga dështimi.

Marrja e pengjeve, rrëmbimet dhe sulmet me bomba janë kthyer në një pjesë të frikshme të jetës për rusët gjatë dekadës së fundit, ndërsa kryengritësit çeçenë bëhen gjithnjë e më të guximshëm në sulmet e tyre kundër civilëve. Për fat të keq, ashtu si edhe në incidente të mëparshme, beteja që i dha fund rrethimit të një shkolle në Rusinë jugore përfundoi me gjakderdhje.

Nga jashtë, drama në shkollë, të kujtonte ngjarjet dramatike në një teatër të Moskës në vitin 2002, kur kryengritësit çeçenë morën peng më shumë se 700 vetë. Në atë incident, 129 pengje dhe 41 luftëtarë çeçenë vdiqën, kur trupat ruse hynë me forcë në teatër. Shumica humbën jetën si pasojë e gazit që forcat lëshuan brenda godinës, për t’i bërë të parrezikshëm pengmarrësit.

Rezultati vdekjeprurës i asaj krize ngriti shumë pyetje për aftësinë e zbulimit dhe shërbimeve sekrete ruse. Duke patur parasysh kritikat e mëparshme, të enjten Presidenti rus Vladimir Putin premtoi kujdes në zgjidhjem e krizës së Beslanit.

“Detyra jonë më kryesore në situatën aktuale është sigurisht që të shpëtojmë jetën dhe të mos rrezikojmë shëndetin e atyre që janë marrë peng”.

Megjithatë, rusët u detyruan të vepronin kur sipas njoftimeve, terroristët filluan të hapin zjarr mbi pengjet që iknin nga godina.

Në të dyja rastet, Rusia është detyruar të ndërhyjë ushtarakisht, duke sakrifikuar jetën e disa pengjeve për të shpëtuar të tjerë. John Pike është ekspert i terrorizmit.

“Forcat speciale ruse janë gjendur përballë që situate të pazakontë me këto marrje pengjesh nga çeçenët dhe kanë fituar një reputacion për egërsi dhe brutalitet, që mendoj se kryesisht është nxitur nga egërsia dhe brutaliteti i pengmarrësve”.

Gjatë dekadave të fundit në gjithë botën ka patur raste të shumta pengmarrjeje. Kur forca ka qenë e nevojshme, ka patur edhe përfundime të suksesshme.

Në dhjetor të vitit 1996, terroristët hynë në rezidencën e ambasadorit japonez në Lima të Perusë, duke marrë peng mbi 500 persona. Pas katër muajsh negociatash të pasuksesshme, komandot peruane hynë me forcë në godinë, duke i liruar pothuajse të gjithë pengjet. Vetëm njëri vdiq. Planet e përgatitura me kujdes dhe veprimet e zhdërvjellëta, sollën një shpëtim pengjesh, që konsiderohet operacion i suksesshëm.

Megjithatë gjërat nuk shkojnë gjithnjë sipas parashikimeve. Në vitin 1979, ekstremistët iranianë hynë në ambasadën amerikane në Teheran, duke marrë peng dhjetra amerikanë. Pasi të gjitha përpjekjet diplomatike për lirimin e tyre dështuan, Shtetet e Bashkuara ndërmorën një aksion të guximshëm që t’i shpëtonin. Që në fillim, jo shumë gjëra shkuan sipas planeve dhe u desh që të hiqej dorë nga misioni. Ndërsa skuadra amerikane e shpëtimit po largohej, një përplasje mes dy avionëve shkaktoi vdekjen e tetë ushtarëve amerikanë. Eskpertët thonë se shkak për dështimin u bënë mangësitë në informacion dhe gabimet në planet e shpëtimit.

Një krizë tjetër pengjesh me rezultate të tmerrshme, ia ndryshoi përgjithmonë pamjen terrorit, kur anëtarë të lëvizjes palestineze Shtatori i Zi kapën atletë izraelitë në lojrat olimpike të Mynihut në vitin 1972. Për ta zgjidhur me shpejtësi krizën, negociatorët gjermanë u përpoqën t’i joshin terroristët që të largoheshin nga fshati olimpik duke u premtuar një udhëtim me avion jashtë vendit. Në të vërtetë, gjermanët kishin në plan t’i shpëtonin pengjet në aeroport. Por ajo që ndodhi ishte një katastrofë. Një shkëmbim zjarri me policinë, shkaktoi vdekjen e të gjithë sportistëve izraelitë.

Shumë shpesh, forca është shansi i vetëm për t’u përballur me terroristët. Në raste të tilla. negociatorët e pengmarrjeve thonë se planet e hartuara me kujdes dhe elementi i befasisë janë jetike.

Aksioni izraelit i vitit 1976 në Entebbe konsiderohet nga të gjithë si një rast studimi. Esktremistët rrëmbyen një avion me mbi 100 izeraelitë, që më pas u ul në Entebbe të Ugandës. Kriza e pengjeve arriti kulmin shtatë ditë më pas, në një aksion të shkëlqyer të ekzekutuar nga forcat izralite të mbrojtjes. Shtatë pengmarrës, një ushtar izraelit dhe tre pengje humbën jetën.

Me përmirësimin e masave të sigurisë në aeroporte, ekspertën e sigurimit mendojnë se sulmet e ardhshme terroriste do të ndjekin shembullin çeçen të marrjes nën kontroll të godinave. John Pike thotë se shumë nga ndërtesat janë të ekspozuara ndaj rrëmbimeve.

“Aktualisht nëse terroristët duan të marrin peng një numër të madh civilësh, ka gjithë atë ndërtesa- pallate, spitale, shkolla që nuk janë të mbrojtura siç duhet për të mos i lejuar ata që t’ia arrijnë qëllimit”.

Kriza e kësaj jave në shkollën ruse dëshmon se përsa kohë terroristët të jenë të gatshëm të vdesin për kauzën e tyre, mund të jetë e pamundur që të shpëtohen të gjithë pengjet. Por duke nxjerrë mësime nga kjo krizë dhe të tjera të ngjashme, forcat e sigurisë shpresojnë që t’i shtojnë shanset për sukses, në rast se terroristët godasin përsëri.//ii

XS
SM
MD
LG