Lidhje

Rusi: Fillon varrimi i të vrarë gjatë krizës së pengjeve në një shkollë në qytetin Beslan - 2004-09-05


Në Rusi, familjet e qindra njerzve të vrarë gjatë krizës së pengjeve në një shkollë të pjesës jugore të vendit filluan varrosjen e të afërmve të tyre. Autoritetet ruse thonë se 260 njerzve nuk u dihet fati pas sulmit në qytetin Beslan, ku gjetën vdekjen 338 veta. Shumë prej viktimave ishin fëmijë. Zyrtarët thonë se mbi 400 veta janë ende në spital.

Kriza e pengjeve e shkaktuar nga ekstremistët përfundoi të premten në gjakderdhje. Zyrtarët thanë se forcat ruse hynë në shkollën ku mbaheshin më shumë se 1 mijë veta, pasi ekstremistët aktivizuan lëndë plasëse dhe filluan të qëllonin mbi pengjet, që përpiqeshin të iknin.

Presidenti rus, Vladimir Putin, tha se kriza e pengjeve ishte pjesë e një lufte të përgjithshme kundër Rusisë nga terroristët ndërkombëtarë. Ai e shpalli të hënën dhe të martën ditë zie kombëtare.

Autoritetet thanë se më shumë se 30 ekstremistë morën nën kontroll shkollën të mërkurën dhe shumica e tyre u vranë. Zyrtarët thanë sot se 3 veta janë arrestuar nën dyshimet për lidhje me ekstremistët.

Ndërkohë, njoftimet nga Rusia jugore thonë se ekstremistët, të cilët hynë në një shkollë dhe morën peng qindra njerëz ishin të përgatitur mirë dhe kishin bërë plane të hollësishme.

Një dëshmitar tha se pasi morën shkollën, ekstremistët i detyruan pengjet të hapnin dyshemenë e palestrës dhe të nxirrnin armët dhe pajisje të tjera të fshehura aty. Zyrtarët thonë se personat në fjalë mund të kenë futur fshehurazi armë dhe eksploziv në shkollë gjatë riparimit të saj në fillim të vitit.

Autoritetet, që po hetojnë incidentin tragjik në Rusinë jugore po përpiqen të përcaktojnë në se rrëmbyesit mund të kenë pasur ndihmë nga banorët vendas në sulmin e së mërkurës. Ministri i brendshëm i Osetisë veriore Kazbek Dzantiyev ofroi dorëheqjen e cila u refuzua.

//ze//

XS
SM
MD
LG