Lidhje

Rusi: Ditë zie për viktimat e krizës së pengjeve të javës së kaluar - 2004-09-06


E hëna është shpallur ditë zie në Rusi për viktimat e krizës së pengjeve të javës së kaluar në një shkollë të qytetit Beslan në Osetinë Veriore.

Drama dy-ditëshe e pengjeve u shndërrua në një episodë vdekjeprurëse të premtën kur persona të armatosur dhe ushtarë rusë hapën zjarr, duke lënë të vrarë më shumë se 350 burra, gra dhe fëmijë.

Personat e armatosur mbanin peng më shumë se një mijë vetë. Më shumë se 700 u plagosën dhe 260 të tjerë ende figurojnë të humbur. Shumë prej viktimave u varrosën dje.

Rrëmbyesit mund të kenë aktivizuar lëndë plasëse kur disa prej pengjeve u përpoqën të iknin, duke nxitur forcat ruse që të hapnin zjarr.

Presidenti Vladimir Putin pranoi shenja dobësie në radhët e forcave ruse, por premtoi një luftë në shkallë të gjerë kundër terrorizmit.

Më shumë se 30 persona të dyshuar si separatistë çeçenë morën pjesë në sulmin për marrjen e shkollës nën kontroll. Sipas disa njoftimeve ruse, në këtë sulm mund të kenë marrë pjesë edhe ekstremistë islamikë nga pjesë të tjera të Rusisë dhe Azisë Qendrore.

Shumica e sulmuesve janë vrarë. Tre persona të dyshuar si bashkëpunëtorë të ekstremistëve janë arrestuar.

XS
SM
MD
LG