Lidhje

SHBA: Vazhdon me intensitet fushata presidenciale - 2004-09-07


Fushata presidenciale këtu në Shtetet e Bashkuara vazhdon me intensitet të plotë. Si presidenti Bush edhe kundërshtari i tij demokrat, senatori John Kerry shkëmbyen akuza të ashpra me njeri tjetrin për luftën në Irak dhe ekonominë amerikane.

Presidenti Bush mbrojti me forcë strategjinë e tij në luftën kundër terrorizmit gjatë një ndalese në fushatën e tij në shtetin e Mizurit.

Presidenti përsëriti edhe një herë zotimin e tij për të vazhduar sulmin për goditjen e terroristëve jashtë vendit, në mënyrë që Shteteve të Bashkuara të mos i duhet të përballet me ta brenda vendit.

Presidenti Bush tha se lufta në Irak ishte zgjidhja e duhur për Amerikën. Ai e cilësoi senatorin Kerry si një politikan të pavendosur i cili i ka ndryshuar shpesh qëndrimet e tij.

"Pavarësisht nga ndryshimi i mendimeve të senatorit Kerry, lufta ishte e drejtë për Amerikën atëherë kur filloi dhe është e drejte edhe tani që Sadam Huseini nuk është më në pushtet."-tha Presidenti.

Veç kësaj, Presidenti Bush u zotua se Shtetet e Bashkuara do të përhapin lirinë në mbarë botën, duke shtuar se qeveritë e vendeve të lira të Lindjes së Mesme do t’i luftojnë terroristët dhe nuk do t’i mbrojnë ata.

Ai parashikoi se një ditë, presidenti amerikan do të ulet me udhëheqësin irakian për të diskutuar si ta bëjë botën një vend ku të mbizotërojë paqja.

Presidenti Bush foli gjithashtu për ekonominë duke theksuar në vecanti pakësimin e numrit të të papunëve dhe shtimin e vendeve të reja të punës.

Mijëra përkrahës ishin mbledhur për të dëgjuar komentet e presidentit Bush në qytetin Lee’s Summit. Presidenti Bush do të ndalojë sot edhe dy qytete të tjera të Missourit, ndërsa rivali i tij demokrat John Kerry do të zhvillojë fushatë në Karolinën e Veriut dhe Ohio.

Dje, kandidati demokrat për president John Kerry ishte në shtetin e Pensilvanisë, ku kritikoi me forcë luftën në Irak, duke e quajtur atë një luftë të gabuar, në vendin dhe kohën e gabuar. Ai i përsëriti këto kritika në një takim në Virxhinian Perendimore.

"Ishte i gabuar nxitimi për të shkuar në luftë pa një plan për të arritur paqen. Ishte gabim të mos ndërtoje një koalicion ndërkombëtar me aleatët tanë në mënyrë që amerikanët të mos mbanin mbi supe 90 përqind të viktimave dhe 90 përqind të kostos", tha senatori.

Senatori Kerry theksoi se ka tani 900 mijë vende pune më pak se kur presidenti Bush erdhi në detyrë.

Ndërkaq, edhe kandidatët për nënpresident zhvilluan fushatë elektorale. Nënpresidenti Dick Cheney mbajti një fjalim në Minesota. Në të njëjtën kohë senatori John Edwards zhvilloi fushatë në Wisconsin.// lk //

XS
SM
MD
LG