Lidhje

Marrëdhëniet me Evropën mbeten një aspekt i rëndësishëm i politikës së jashtme amerikane - 2004-09-08


Qershori i këtij viti ishte një muaj i pazakontë takimesh transatlantike. Arritja e Presidentit Bush në Stamboll shënoi takimin e katërt të rëndësishëm brenda një muaji midis udhëheqësve evropianë dhe amerikanë.

"Ne do të punojmë së bashku për të garantuar se Natoja do të konfigurohet ushtarakisht në mënyrë të tillë që të përballojë edhe kërcënimet e shekullit të 21."

Në fillim të atij muaji, Presidenti Bush shkoi në Francë me rastin e 60-vjetorit të zbarkimit aleat si dhe kryesoi takimin e 8 vendeve më të industrializuara. Pastaj shkoi në Irlandë për t’u takuar me zyrtarë të Bashkimit Evropian.

Analistët thonë se ekziston një ndarje e madhe midis shumë fuqive evropiane dhe administratës Bush. Shumë evropianë, sidomos në Francë dhe Gjermani ndihen të izoluar për shkak të asaj që atyre që ata i quajnë veprime të njëanshme të administratës amerikane.

Megjithëse administrata Bush e ka mirëpritur mbështetjen e vendeve të Evropës së re, si Polonia dhe Republika Çeke, ajo ka shpallur se asnjë vend tjetër nuk do të lejohet të ndërhyjë në vendimet e saj për të mbrojtur sigurimin amerikan.

Kandidati demokrat për president, John Kerry i ka quajtur politikat e jashtëme të administratës arrogante dhe thotë se do të inaugurojë një epokë të re aleancash.

"Zotohem para jush se brenda pak javësh, do të kthehem në Kombet e Bashkuara dhe ne do të bashkohemi përsëri me komunitetin e shteteve për të hapur një kapitull të ri krenar në marrëdhëniet e Amerikës me botën."

Zoti Kerry ka deklaruar se do t’u japë aleatëve evropianë dhe Kombeve të Bashkuara përgjegjësi më të mëdha dhe të drejtën për të marrë pjesë në vendimet lidhur me rindërtimin e Irakut.

Por Simon Serfati drejtor i programit për Evropën në Qendrën për Studimet Strategjike dhe Evropiane, paralajmëron se marrëdhëniet me Evropën mund të mos ndryshojnë në mënyrë dramatike, edhe nëse zgjidhet Kerry.

"Këtu kemi të bëjmë me një përplasje midis prepotencës së madhe të fuqisë amerikane dhe daljes së Evropës si një bashkim shtetesh që përbën një fuqi në botë edhe pse jo një fuqi botërore."

Zoti Serfaty thotë se përdorimi nga Amerika i fuqisë së madhe ushtarake dhe nevoja e saj për të luftuar terrorizmin do të vazhdojë qoftë gjatë një mandati të dytë të zotit Bush ose nëse zgjidhet zoti Kerry. Por ai thotë se toni mund të ndryshojë.

"Nuk ka dyshim se toni, në rastin e një administrate Kerry, do të jetë më akomodues, të paktën për një kohë. Në një farë kuptimi, evropianëve do t’u duhet të vendosin nëse do të bëjnë për Kerry-n atë që nuk do të bënin për Bushin."

James Goldgeier, i Universitetit George Washington, thotë se udhëheqësve evropianë do t’u duhet ndoshta të përgjigjen pozitivisht.

"Mendoj se nëse Kerry kërkon ndihmën e evropianëve, kjo do t’i impresiononte shumë Franën, Gjermaninë dhe të tjerët që i janë kundërvenë politikës amerikane, thotë Goldgeier."

Zoti Goldgeier e pranon se shumë vende evropiane nuk kanë shumë forca ushtarake që mund të ofrojnë, për shembull, për të ndihmuar në stabilizimin e Irakut. Por ai thotë se një kontribut simbolik me forca ose me fonde do të shënonte një hap të konsiderueshëm për riparimin e hendekut ndëratlantik, pavarësisht se kush i fiton zgjedhjet e nëntorit.

//ze//

XS
SM
MD
LG