Lidhje

Presidenti Rugova nisi vizitë 3 ditore në Shqipëri - 2004-09-08


Presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova, deklaroi në Tiranë se Prishtina i ka të gjitha kapacitetet dhe aftësitë për të fituar dhe ushtruar praktikisht pavarësinë. Ai i bëri këto komente në një konferencë të përbashkët shtypi me presidentin e Shqipërisë, Alfred Moisiu, në hapje të vizitës treditore që filloi të mërkurën në Shqipëri. Zoti Rugova theksoi se çështja e statusit të Kosovës mbetet thjesht një formalitet që duhet plotësuar nga shtetet dhe institucionet perëndimore sa më parë.

“Me zotin Moisiu biseduam për progresin e arritur nga Kosova në këto 5 vjet, konsolidimin e gjendjes në të gjitha fushat pas ngjarjeve të marsit, rindërtimet që po kryhen, për zgjedhjet që duhet të jenë të qeta, të lira dhe demokratike. Kosova ka përvojë: ne kemi patur 3 palë zgjedhje pas luftës në liri, dhe po punojmë që të kemi zgjedhje të mira. Duhet t’i tregojmë miqve tanë se ne dimë të udhëheqim dhe e pranojmë rendin demokratik”- tha zoti Rugova.

Ndërsa Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Alfred Moisiu, tha se Shqipëria është e gatshme të thellojë bashkëpunimin ekonomik, kulturor me Kosovën dhe në fusha të tjera. Nga ana tjetër ai theksoi që zgjidhja e statusit të Kosovës është jetike jo vetëm për të, por edhe për stabilitetin e rajonit, sepse kështu I ngushtohen hapësirat grupimeve ekstremiste.

“Mbajtja e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, ku të marrin pjesë të gjitha pakicat - përfshi edhe ato serbe, sipas standarteve demokratike në 23 tetor, besoj që do t’i shërbejnë së tepërmi rritjes së imazhit të vendit dhe klasës politike në Kosovë. Në këtë rrugë realizohet edhe një prej kërkesave të komunitetit ndërkombëtar, përmbushet një prej standarteve më të rëndësishme”- tha zoti Moisiu.

Presidenti Rugova po pritet me nderime dhe një protokoll të lartë zyrtar. Pas Presidentit Moisiu, ai u takua me kryeministrin Fatos Nano, ndërsa ka në program biseda me politikanët kryesorë të forcave opozitare, një vizitë në Lezhë ku do të vizitohen muzeumet për nder të heroit kombëtar Skënderbeu, një dekorim nga Universiteti i Tiranës me titullin “Honoris Causa” si dhe një takim me forcat xheniere të ushtrisë shqiptare që po ndërtojnë një segment të vështirë të rrugës Durrës-Prishtinë.

//ze//

XS
SM
MD
LG