Lidhje

I pritet hovi kombëtares së Shqipërisë - 2004-09-09


Ndeshja e pritur me mjaft interesim nga sportdashësit shqiptarë ndërmjet Gjeorgjisë dhe Shqipërisë nuk i justifikoi shpresat e tyre.

Të 92 minutat lojë në stadiumin Lokomotiva të Tbilisit u mbyllën 2-0 për vendasit. Komentet bëjnë të ditur se gjeorgjianët krijuan shumë shpejt epërsi, ndërkohë që loja e futbollistëve shqiptarë i ngjante pak asaj në Tiranë kundër kampionëve të Evropës.

Në minutën e 15-të mesfushori gjeorgjian, Asatiani, jep një pasim të mrekullueshëm për Iashvilin duke e nxjerrë atë të vetëm përballë Strakoshës. 1-0.

Goli i dytë u shënua në fund, në minutën e 89-të nga Demetraxe, i cili kishte hyrë vetëm para një minute. Gjatë kësaj ndeshjeje sulmuesi shqiptar Igli Tare pati një rast shënimi, kur doli përballë portierit gjeorgjian dhe rrezikoi të barazonte 1-1, por Devaxe ndërhyn me sukses.

Ndërkaq, ndeshja e luajtur në Athinë ndërmjet Greqisë dhe Turqisë përfundoi në barazim.

Pas fitores të mërkurën jashtë fushës së vet, 2-1, ndaj Kazakistanit, Ukraina kryeson grupin e dytë bashkë me Gjeorgjinë me nga katër pikë. Në vend të tretë është Shqipëria me tre pikë dhe më pas vjen Turqia me 2. Danimarka e Greqia kanë nga 1 pikë dhe në fund renditet Kazakistani me asnjë pikë.

Më datën 9 tetor Shqipëria pret në Tiranë Danimarkën, Turqia luan në fushën e vet kundër Kazakistanit dhe Greqia udhëton drejt Kievit për t’u ndeshur me Ukrainën.

Në ndeshje të tjera eleminatore në Evropë, Bosnjë-Hercegovina përballoi mbrëmë me sukses Spanjën në një ndeshje që solli një rezultat disi të papritur 1-1.

Në Angli, trysnia ndaj trajnerit të kombëtares, Sven-Goran Erikson, ra pas fitores 2-1 kundër Polonisë.

Në ndeshjet e së mërkurës, me fitore u ndanë edhe Franca, Portugalia, Rumania, Letonia, Holanda, Hungaria, Sllovakia, Izraeli, Austria, Lituania dhe Kroacia; kurse në barazim u ndanë Skocia e Sllovenia, Zvicra e Irlanda, Norvegjia e Bjellorusia, si dhe Irlanda e Veriut e Wellsi.

Kampionati Botëror i Hokejt mbi Akull

Kanadaja kaloi në gjysëm-finale pas fitores 5-0 ndaj Sllovakisë. Në gjysëm-finale kanadezët do të luajnë të shtunën kundër Republikës Çeke, ndërkohë që amerikanët - kampionët në fuqi - do të ndeshen me Finlandën të premten në Saint Paul të Minnesotës. Finalja zhvillohet të martën e ardhshme në Toronto.

XS
SM
MD
LG