Lidhje

New York: Projektet për rindërtimin e Qendrës Botërore të Tregëtisë ende ngjallin debate - 2004-09-09


Planet për rindërtimin e Qendrës Botërore të Tregëtisë në New York, po vazhdojnë, por projekti i godinave që do të zëvendësojnë Kullat Binjake që u shkatërruan nga sulmet terroriste të 11 shtatorit, është vënë në qendër të një debati të ashpër. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Kerry Sheridan njofton nga New Yorku:

Të afërmit e atyre që humbën jetën më 11 shtator e konsiderojnë vendin ku ishin kullat, një varrezë, ndërsa arkitektët si shenjë për zhvillimin të ardhshëm. Ndërkohë në këtë fushatë zgjedhjesh, politikanët po e përmendin tragjedinë që ndodhi atje gjithnjë e më shpesh. Ja ç’tha presidenti Bush në Kuvendin Kombëtar të Republikanëve: “Të dashur bashkëkombas, përsa kohë të ekzistojë vendi ynë, njerëzit do ta shohin ringjalljen e New Yorkut dhe do të thonë: Këtu ku ranë ndërtesat, një komb do të ngrihet”.

Tre vjet pas tragjedisë, po vazhdojnë planet për ngritjen e ndërtesave të reja, por po ashtu vazhdojnë edhe debatet mes dy kryearkitektëve: David Childs, i punësuar nga qiramarrësi i Qendrës Botërore të Tregëtisë, i cili do që të rindërtojë atje një nyje tregëtare dhe Daniel Libeskind, arkitekti me origjinë polake, plani i të cilit për një grataçielë, kopësht dhe përkujtimore, fitoi një konkurs të fortë ndërkombëtar.

Zoti Libeskind thotë se projekti i tij është plot simbolizëm. Pasi u zgjodh projekti i zotit Libeskind, zoti Childs u zgjodh kryearkitekt i Kullës së Lirisë, që sipas planeve të zotit Libeskind do të jetë një grataçielë me mbi 60 kate dhe së bashku me një kullë arrin lartësinë 541 metra, duke u bërë kështu ndërtesa më lartë në botë.

Tani, edhe arkitektë të tjerë janë angazhuar në një sërë projektesh nga nyje transporti, në qendra kulturore dhe çdo ditë ka diçka që ndryshon. Zoti Libeskind thotë se ndryshimet janë të vogla dhe të pashmangshme dhe se vizioni i tij i përgjithshëm mbizotëron.

“Kushdo e shikon, duke krahasuar dy skemat, ajo që u paraqit në konkurrin dhe ajo që po ndërtohet, se vetëm disa detaje të vogla kanë ndryshuar dhe sigurisht që kjo është e natyrshme, sepse konkursi nuk u bë për çdo dritare dhe prag dere”.

Vitin e kaluar u ra dakord për një përkujtimore kushtuar tre mijë vetëve që humbën jetën më 11 shtator në New York.

Disa nga familjet e viktimave të 11 shtatorit, janë zemëruar. Zjarrfikësi Jimmy MCaffrey që humbi kunatin, shef zjarrfikësash Orio Palmer, thotë se të vdekurit duhen respektuar, veçanërisht ata që nuk u gjetën kurrë dhe kjo bëhet pa ndërtuar aty ku ishin kullat.

Zoti McCaffrey është tani bashkëkryetari i Avokatëve për Heronjtë e 11 shtatorit, një grup që po bën përpjekje që viktimat e sulmit terrorist të identifikohen më qartë në murin përkujtimor.

Ky grup do që punonjësit e shpëtimit të identifikohen sipas numrit të kompanisë së zjarrfikësve, ose të stacionit të policisë dhe që civilët të identifikohen sipas kompanisë për të cilën punonin, si për shembull Cantor Fitzgerald një firmë që humbi afro 600 punonjës.

Kështu zoti McCaffrey shpreson se brezat e ardhshëm nuk do t’i harrojnë njerëzit që humbën jetën nga sulmet terroriste.

XS
SM
MD
LG