Lidhje

Zëvendësi i Osama bin Ladenit thotë se Shtetet e Bashkuara janë në prag të humbjes në Irak dhe janë vënë në ikje në Afganistan - 2004-09-10


Rrjeti televiziv al-Xhazira transmetoi një kasetë të zëvendësit të Osama bin Ladenit, i cili thotë se Shtetet e Bashkuara janë në prag të humbjes në Irak dhe janë vënë në ikje në Afganistan.

Rrjeti televiziv arab paraqiti Ajman al-Zauahirin duke thënë se mundja e forcave amerikane në Irak është vetëm çështje kohe.

Ai pretendon gjithashtu se Afganistani Jugor dhe ai lindor janë shndërruar në fusha të hapura për muxhahedinët.

Zyrtarë amerikanë të zbulimit kanë filluar studimin e kasetës. Nuk është e qartë se kur dhe ku është regjistruar ajo.

Forcat amerikane veprojnë shpesh në zonat afgane të përmendura në kasetë, si edhe përgjatë kufirit me Pakistanin në kuadër të operacioneve të kërkimit për luftëtarë të al-Kadës dhe mbeturia të ish regjimit Taleban.

Kaseta u transmetua ditën e përvjetorit të tretë të vrasjes së komandantit antitaleban, Ahmed Shah Masud, dhe dy ditë para përvjetorit të tretë të sulmeve terroriste të 11 shtatorit kundër Shteteve të Bashkuara. //az//

XS
SM
MD
LG