Lidhje

Irak: Vazhdojnë operacionet ushtarake amerikane në dy qytete  - 2004-09-10


Operacionet ushtarake amerikane vazhdojnë në dy qytete irakiane që janë baza e kryengritësve dhe luftëtarëve të huaj. Dëshmitarët thanë se aeroplanët luftarakë amerikanë bombarduan objektiva të dyshuara të kryengritësve në Faluxha. Të paktën një person u vra.

Në veri, në Tal Afar, ushtria amerikane tha se po vazhdon ofensivën për të eleminuar terroristët e huaj që kanë shkuar në Irak nga Siria.

Ndërkohë në jug, në qytetin e shenjtë shiit të Naxhafit, qindra banorë protestuan kundër klerikut radikal Moqtada al Sadr. Ata kërkuan që ai dhe milicia e tij të largohen nga qyteti i cili u rrethua për tre javë muajin e kaluar gjatë një kryegritjeje të udhëhequr nga kleriku. Ndërsa ministri i jashtëm libanez dënoi vrasjen në Bagdat të tre shtetasve të Libanit, përfshirë një grua, në rrethana të paqarta.

Presidenti i përkohshëm i Irakut Gazi al Javari dhe kryeministri italian Silvio Berluskoni u takuan në Romë ndërsa Italia po kërkon lirimin e dy punonjëseve të ndihmave që u rrëmbyen të martën në Bagdat.

Bisedimet bëhen para një marshimi të planifikuar me qirinj të ndezur në kryeqytetin italian për të ushtruar trysni për lirimin e dy grave dhe pengjeve të tjerë në Irak.

Ndërkohë një grup më parë i panjohur i vetëquajtur Përkrahësit e Al Zarwahirit publikoi një deklaratë në internet duke pohuar se po mban peng dy italianet. Grupi kërkon që Italia të premtojë lrimin e të gjitha grave myslimane nga burgjet në Irak në shkëmbim të informacioneve mbi dy pengjet.

Vërtetësia e deklaratës nuk është provuar. Italia ka rreth 3 mijë trupa në Irak. Presidenti irakian mbërriti në Itali nga Berlini dhe do ta përfundojë turneun e tij në Bruksel.

Dhe në Maqedoni, një zyrtar thotë se 3 maqedonasit e zhdukur, që prej fundit të muajit gusht në Irak, ndoshta janë rrëmbyer nga një grup ekstremist i paidentifikuar.

I dërguari i posaçëm i ministrit të jashtëm maqedonas, Igor Popov, u tha gazetarëve sot, se pas bisedimeve me zyrtarët irakianë në Bagdad, ai arriti në përfundimin se të tre personat janë rrëmbyer më 23 gusht. Zoti Popov tha se fati i tyre ende nuk dihet, duke shtuar se nuk kanë marrë ndonjë kërkesë prej ekstremistëve.

Autoritetet maqedonase thonë se të tre personat e zhdukur punonin si kontraktorë për kompaninë e ndërtimit Sufan Engeneering në Bagdat. Emrat e personave të zhdukur janë Dalibor Lazarevski, Dragan Markoviç dhe Zoran Naskovski dhe që të tre janë nga qyteti i Kumanovës.

//ze//

XS
SM
MD
LG