Lidhje

11 SHTATOR 2001 - 11 SHTATOR 2004 - 2004-09-10


Kanë kaluar tre vjet që kur rrëmbyesit e katër avionëve i përplasën ata në Qëndrën Botërore të Tregëtisë dhe në Pentagon. Aeroplani i katërt nuk arriti ta kryente goditjen dhe u rrëzua në një fushë të Pensilvanisë. Në Nju Jork dhe Washington 3 mijë vetë humbën jetën. Përgjigja për sulmet e 11 shtatorit ishte lufta globale kundër terrorizmit e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara. Por debati nëse ndonjë vend po e fiton këtë luftë mbetet i hapur.

Shtetet e Bashkuara e filluan luftën kundër al Kaidës, organizatores së sulmeve të 11 shtatorit, në Afganistan duke përmbysur regjimin taleban që strehonte rrjetin terrorist. Megjithëse Osama bin Ladeni nuk është kapur, shumë nga ndihmësit e tij janë vrarë ose kapur. Por kjo nuk parandaloi sulme të tjera të rënda terroriste në Bali, në Rijad dhe Madrid, të ndërmara nga grupe të lidhura me al-Kaidën.

Ish guvernatori i Nju Xhersit, Thomas Kean drejtoi komisionin hetimor të caktuar nga Kongresi për të dhënë shpjegime të plota rreth sulmeve të 11 shtatorit. Komisioni arriti në përfundimin se megjithëse al Kaida nuk drejton drejtëpërsëdrejti operacionet, ajo është nismëtare dhe frymëzuese e tyre.

Al Kaida përfaqëson një ideologji, jo thjesht një grup njerëzish, kështu që nuk duhet të presim që rreziku prej saj të pakësohet gjatë viteve në vazhdim. S’ka rëndësi kë kapim, apo vrasim, përfshi edhe vetë Osama bin Ladenin, përsëri do të ketë komplote kundër nesh, thotë guvernatori Kean.

Kongresi veproi shpejt për të miratuar rekomandimet e komisionit për 11 Shtatorin, duke mbajtur dhjetra seanca dëshmish gjatë verës, që zakonisht është pushim. Miratimi i ligjeve për zbatimin e rekomandimeve, zakonisht një proces i ngadaltë, pritet të përfundojë nga fundi i shtatorit, pasi, siç tha edhe senatori republikan John McCain vendi është ende në rrezik.

Terrorizmi ndërkombëtar paraqet një rrezik mëse real. Është përgjegjësia jonë të veprojmë në bazë të rekomandimeve të komisionit, thotë Senatori McCain.

Administrata e presidentit Bush hyri gjithashtu në luftë me Irakun duke argumentuar se Sadam Huseini përbënte kërcënim për Shtetet e Bashkuara. Në frontin e brendëshëm, Departamenti i Sigurisë Kombëtare ka shtuar masat e sigurimit në kufi, në aeroporte, objekte bërthamore dhe ndërtesat qeveritare dhe megjithatë pas tre vjetësh, Sekretari për Sigurimin Kombëtar Tom Ridge thotë se sfida për të parandaluar sulme terroriste në të ardhmen është e vështirë.

Çdo ditë duhet të veprojmë me idenë se armiqtë tanë ndryshojnë siç po ndryshojmë edhe ne. Ndërsa ne mbyllim një të çarë ata mundohen të hapin një tjetër, thotë Sekretari Ridge.

Neil Livingston, ekspert për terrorizmin në Washington thotë se terrorizmi është luftë që nuk ka fund, duke shtuar se natyra e luftës mund të ndryshojë, ashtu si edhe vetë kundërshtari.

Pjesë e problemit sot është se ka qëndra të tjera madhore terroriste dhe duhet të bëjmë diçka rreth tyre. Irani ka qënë që në vitet 79 - 80 burimi i terrorizmit dhe i fondamentalizmit islamik në botë , thotë eksperti.

Nënsekretari Amerikan i Mbrojtjes Paul Wolfowitz tha se kërcënimi global i terrorizmit kërkon një përgjigje globale.

Fitorja në luftën kundër terrorit kërkon hedhjen e farës së shpresës dhe lirisë sidomos në kufirin midis Lindjes së Mesme dhe botës myslimane, thotë ai.

Sekretari Wolfowitz thekson se asnjëherë nuk do ta dimë se sa sulme si ai i 11 shtatorit janë arritur të parandalohen. Në përvjetorin e tretë të sulmeve lufta kundër terrorizmit vazhdon

XS
SM
MD
LG