Lidhje

Studim mbi pasojat e sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001 për shëndetin  - 2004-09-11


Për tre vjet me rradhë, qendra për kontrollin dhe parandalimin e sëmundjeve ka vëzhguar shëndetin fizik dhe mendor të më shumë se 1 mijë e 100 punonjësve të ndihmave dhe vullnetarëve që ndihmuan pas sulmeve në Qendrën Botërore të tregëtisë, përmes një programin për ekzaminimin mjekësor të tyre. Rezultatet paraprake tregojnë se 50 përqind e punonjësve dhe vullnetarëve të ekzaminuar kanë probleme të vazhdueshme në rrugët e frymarrjes, dhimbje mesi, irritim të syve, dhimbje kohe dhe kanë 4 herë më shumë rrezik të kenë probleme të shëndetit mendor.

Punonjësit dhe vullnetarët në nivelin zero ishin të ekspozuar ndaj pluhurit, tymrave të karburantit, çimentos të pluhurizuar, copave të xhamit dhe kimikateve të dëmshme. Programi për ekzaminimin e tyre është një nga 6 programet e financuara nga qeveria për të monitoruar disa mijëra njerëz që ranë në kontakt me pluhurin e ndërtesave të rrënuara më 11 shtator 2001. Ky ekzaminim do të vazhdojë për disa vite.

Doktor Tom Demaria trajton një tjetër grup pacientësh - qindra fëmijë që kanë humbur një ose të dy prindërit në sulmet e 11 shtatorit. Ai përdor artin si terapi për fëmijët që të shprehin humbjen që ndjejnë. Disa nga vizatimet e pacientëve të tij janë varur në ekspozitën e quajtur “sezoni i pikëllimit”.

"Është emocionalisht e vështirë të shijosh këtë lloj arti. Është vështirë të shohësh dhimbjen dhe ankthin që kanë provuar këta fëmijë. Dhe ata vazhdojnë ta vuajnë humbjen me kalimin e kohës. Tronditja që sjellin pamjet televizive të cilat tregojnë vdekjen e dhunshme të prindërve të tyre është shumë e madhe dhe vetëm tani këta fëmijë kanë filluar të kuptojnë deri diku atë që ndodhi si dhe të ndjejnë mungesën e prindërve në jetën e përditshme".

Doktor Demaria thotë se fëmijët kanë nevojë për përkrahje të vazhdueshme për të përballuar dhimbjen. Këtë vit në këtë qendër kanë ardhur 200 prindër të rinj. Disa erdhën pasi mësuan gjetjen e eshtrave të të afërmve të tyre. Amy humbi babanë më 11 shtator.

"Më në fund e kuptova se ai nuk do të kthehet më kurrë dhe se nuk mund të bëj asgjë për ta kthyer".

Mjekët dhe ekspertët qeveritarë thonë se mund të duhen dekada për të zbuluar probleme të shëndetit mendor dhe fizik për mijra punonjësit e ndihmave, të mbijetuarit dhe të afërmit e viktimave të sulmeve terroriste.

XS
SM
MD
LG