Lidhje

shitja e armëve në botë është pakësuar për të tretin vit radhazi - 2004-09-11


Në vitin 2003, bota shpenzoi rreth 900 miliard dollarë për qëllime ushtarake dhe Shtetet e Bashkuara zinin afro gjysmën e kësaj shume. Shtetet e Bashkuara nënshkruan marrëveshje për shitje armësh me një vlerë prej 14 miliard e 500 milion dollarësh ose më shumë se 56 përqind e vëllimit të krejt transaksioneve botërore të këtij lloji. Veç kësaj, Shtetet e Bashkuara kanë shitur teknologji ushtarake si dhe kanë dhënë ndihmë ushtarake, një pjesë e së cilës i ka shkuar botës në zhvillim.

David Isenberg, analist i një organizate kërkimore të quajtur Këshilli britaniko-amerikan për Informacionin e Sigurimit, thotë se çdo vit, Shtetet e Bashkuara dominojnë më shumë se gjysmën e tregut botëror.

"Armët amerikane kërkohen nga një numër vendesh për arësye të shumllojshmërisë së tyre si dhe për shkak të mënyrave të larmishme me të cilat mund të paguhen këto armë. Shtetet e Bashkuara nuk shesin armë thjesht me para në dorë, por në varësi të faktit se kush i ble ato, ofrojnë kushte shumë bujare përsa u përket garancive të kreditit apo financimit, madje japin edhe grante për blerje armësh gjë që ua lehtëson shumë blerjen e armëve atyre shteteve që konsiderohen aleate të Amerikës".

Rusia, Gjermania, Britania, Franca, Italia dhe Spanja janë gjithashtu eksportuese të mëdha armësh. Por kush i ble gjithë këto armë?

"Vit pas viti, Arabia Saudite ka qenë gjithmonë një blerëse e madhe mallrash kryesisht nga Shtetet e Bashkuara, por edhe nga vende të tjera si Britania. Vitet e fundit, Arabia Saudite i ka shkurtuar paksa blerjet sepse ajo po përpiqet të absorbojë importet e viteve të kaluara. Një arësye tjetër janë vështirësitë që po kalon ekonomia e saj gjatë kësaj periudhe".

Shtete të tjera të Lindjes së Mesme janë gjithshtu importuese të rëndësishme armësh. Këtu hyjnë sidomos vendet e Gjirit dhe Izraeli. Seema Gahlaut, studiuese në Universitetin e Georgia-s, thotë se vitet e fundit ka patur një rritje në shitjet e armëve në drejtim të Azisë dhe Afrikës. Ajo thotë se vendet e ndryshme blejnë më shumë armë ose për shkak të zhvillimeve në vendet fqinje, të cilat i bëjnë ato më të pasigurta, ose sepse kanë ambicie për të dominuar fqinjët.

"Nuk ka dyshim se në Lindjen e Mesme, ka një pasiguri në rritje rreth së ardhmes tani që Shtetet e Bashkuara kanë hequr diktatorin irakian Saddam Hussein. Sipas njoftimeve, Irani po përpiqet të ndërtojë armë bërthamore. Dhe kjo mund të nxisë shpenzime të tjera për blerje armësh. Në Azi ka shenja që tregojnë se vendet e ndryshme nuk janë të sigurta lidhur me rolin e Kinës në rajon, pra nëse Kina do të bëhet më agresive në të ardhmen".

Pavarësisht se cilat janë arësyet, shumë njerëz thonë se armët shiten pa shumë kufizime shpesh bien në duart e keqbërësve: për shembull të milicëve që vrasin civilë apo të pjestarëve të grupeve etnike rivale, aq më keq në duart e grupeve terroriste si Al-Qaida. Shtetet e Bashkuara, si shitësi më i madh i armëve, janë objekti më i shpeshtë i kritikave të tilla.

Prodhuesit amerikanë të armëve kanë dy kanale kryesore me të cilat ua shesin armët vendeve të tjera: Eksportet ushtarake negociohen nga Departamenti i Mbrojtjes mbi bazën e bisedimeve qeveri me qeveri. Ndërsa shitjet komerciale realizohen direkt midis prodhuesve amerikanë dhe vendeve që i blejnë armët. Shitjet komerciale duhet të jenë të liçencuara, pra edhe ato kontrollohen nga qeveria.

Megjithatë, Gregory Suchan, zyrtar i Departamentit të Shtetit, thotë se Shtetet e Bashkuara kanë rregulla më rrepta për shitjen e armëve se sa çdo vend tjetër. Qeveria ka gjithashtu një listë vendesh të cilave nuk u shiten armë.

"Vende të tilla janë Bjellorusia, Kuba, Irani, Libia, Korea e Veriut, Siria, Vjeitnami, Birmania, Kina, Haiti, Liberaia, Somalia dhe Sudani...".

Gregory Suchan thotë se ligjet ndërkombëtare të tregtisë së armëve nuk kanë fuqi zbatuese dhe kjo u jep mundësi qeverive të ndryshme të arrijnë çfarëdolloj marrëveshje armësh që duan, përveçse t’u shesin atyre shteteve që janë objekt i embargos ndërkombëtare të armëve. Analistët thonë se përsa kohë që kjo të mbetet e pandryshuar, armët do të vazhdojnë të bien në duar të gabuara.

XS
SM
MD
LG