Lidhje

Debat mbi legalizimin e armëve gjysmë-automatike në SHBA - 2004-09-12


Të hënën skadon ligji federal që ndalon shitjen e 19 llojeve të armëve gjysmë-automatike. Legalizimi përsëri i këtyre armëve kundërshtohet nga shumica e publikut, por çështja e armëve është shumë delikate në një vit zgjedhjesh si ky i tanishmi sepse organizatat që e mbështesin prodhimin dhe shitjen e tyre bëjnë lobizëm të fuqishëm në Kongres dhe kanë ndikim të madh në fushatën elektorale.

Ligji për ndalimin e armëve gjysmë-automatike hyri në fuqi 10 vjet më parë për të ndaluar armë, të cilat mund të qëllojnë pa ndërprerje disa batare. Ligji ndalon shitjen e armëve që përdorin karikatorë me më shumë se 10 plumba.

Industria e armëve pret që shitjet të marrin hov. Kompania prodhuese e armëve Barreta po ofron kupona për dy karikatorë falas me nga 15 plumba secili.

Ndërsa një tjetër prodhues po shfrytëzon faqen e tij elektronike për të numëruar minutat e fundit që kanë mbetur deri në skadimin e ligjit. Tregtari i armëve Çak Pejn është shumë i gëzuar:

“Kam një karikator me kapacitet të lartë, i cili vendoset me lehtësi në armë, qëllon me shpejtësi, pra ne shesim më shumë municion,” thotë zoti Pejn.

Amatorët e armëve të zjarrit janë po aq entuziastë:

“Na vjen mirë që një ligj tjetër i panevojshëm kundër armëve po skadon. Rrallë herë ndodh një gjë e tillë. Ka njerëz që duan të të vrasin. Këto armë na duhen për vetmbrojtje,” thotë një zotërues armësh.

Familjet e viktimave nga zjarri i armëve dhe shefat e policisë në mbarë vendin i kanë kërkuar presidentit t’i kthejë shpinën lobit të armëve dhe të rivendosë ligjin për ndalimin e armëve.

Në vitin 1997 dy grabitës bankash në Los Anxhelos, të pajisur me armë automatike shkëmbyen zjarr me 350 policë për dy orë.

Shefi i policisë së Los Anxhelosit Uilliam Braton thotë: “Këto janë armë për vrasje, jo për gjueti apo për koleksion,” thotë zoti Braton.

Polici Maikl Kollins nga shteti Alabama flet për tre kolegë të tij që u vranë nga zjarri i këtyre armëve:

“Këto janë armë tipike për ushtrinë. Ata do t’i përdorin për të qëlluar policinë, do t’i përdorin nëpër rrugë. Njerëzit do të jenë viktimë e këtyre armëve,” thotë zoti Kollins

Kur këto armë të bëhen përsëri të ligjshme, mund të jetë më e lehtë për kriminelët për t’i shtënë ato në dorë. Zoti Collins fajëson interesat politike në këtë mes:

“Me sa mendoj unë, Kongresi nuk donte të vepronte në këto momente, pasi është vit zgjedhjesh,” thotë zoti Kollins.

Udhëheqës të partisë republikane në Kongres duan që ndalimi ndaj këtyre armëve të hiqet. Presidenti Bush thotë se është kundër armëve gjysmë-automatike, por megjithatë nuk i kundërvihet lobit të armëve.

Ndërkaq politikanët demokratë kujtojnë qartë se si 10 vjet më parë, pasi presidenti Klinton nënshkroi ligjin aktual, lobi i armëve u angazhua seriozisht për t’u siguruar fitoren republikanëve në Kongres.

Kandidati i Partisë Demokrate në zgjedhjet presidenciale John Kerry nuk e ka përmendur ligjin për ndalimin e armëve gjysmë-automatike kohët e fundit, megjithëse para se të emërohej si kandidat ai ishte shprehur kundër tyre.

XS
SM
MD
LG