Lidhje

Maqedoni: Opozita shqiptare kundër planit qeveritar të decentralizimit dhe referendumit. - 2004-09-12


Në Maqedoni, partitë opozitare shqiptare nuk do të mbështesin referendumin kundër planit qeveritar të decentralizimit. Subjekti më i madh politik opozitar, Partia Demokratike Shqiptare është shprehur kundër planit qeveritar për shkak se qeveria ka formuar enklava maqedonase në territoret e banuara me shqiptarë në Maqedoninë Perendimore. Nënkryetari i kësaj partie, Iljaz Halimi në intervistën për “Zërin e Amerikës” tha se Maqedonia mund të përballet me krizë të re politike nëse referendumi do të jetë i suksesshëm. Ai tha se nëse referendumi do të jetë i suksesshëm, atëherë qeveria aktuale duhet të japë dorëheqje dhe të organizohen zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Zëri i Amerikës: Zoti, Halimi, cili është qëndrimi i Partisë Demokratike Shqiptare për referendumin kundër planit të ri të decentralizimit të pushtetit në Maqedoni?

Iljaz Halimi: Në Maqedoni aktualisht kemi krizë. Organizimi i referendumit është diçka e veçantë.Është fakt se u sollën ligjet për ndarjen territoriale të vendit dhe një pjesë e maqedonasve që janë të lidhur me opozitën maqedonase mendojnë se më tepër kanë fituar shqiptarët. Ata për të penguar këtë kanë organizuar referendumin, por nga ana tjetër realiteti është se shqiptarët nuk kanë arritur nivelin e të drejtave dhe ngritjes së statusit të tyre që është paraparë dhe që është pritur sipas Marrëveshjes së Ohrit. Fundja lufta në vitin 2001 është bërë për këtë punë, që të ndryshojë radikalisht statusi i shqiptarëve, por ne në fakt tani kemi ngecje. Por edhe me organizimin e referendumit, vazhdojmë të kemi një situatë të njejtë pa ndryshime të theksuara.

Zëri i Amerikës: Çfarë mendoni nëse ky referendum do të jetë i suksesshëm ?

Iljaz Halimi: Nëse referendumi do të jetë i suksesshëm, atëherë krijohen kushte për zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Ato forca që do të vijnë në pushtet kanë përgjegjësi të bëjnë rishikimin e të gjitha ligjeve të deritanishme që janë sjellur nga parlamenti, që të mund të jenë ato në frymën e Marrëveshjes së Ohrit. Po ashtu të bëhet një plan tjetër i decentralizimit të Maqedonisë dhe qytetit të Shkupit, në bazë të kritereve që do të përcaktohen paraprakisht, me çka do të jenë të kënaqur shqiptarët dhe të zbatohet Marrëveshja e Ohrit. Kjo garniturë qeveritare nuk ka vullnet dhe gatishmëri të bëjë një zgjidhje të tillë. Ata taktizojnë dhe kështu krijohen ngecje të procesit të jetësimit të Marrëveshjes së Ohrit dhe në krijimin e kushteve për zhvillimin normal të këtij shteti.

Zëri i Amerikës: Tanimë janë mbushur tre vjet që nga arritja e Marrëveshjes paqësore të Ohrit, e cila parandaloi konfliktin e armatosur në Maqedoni. A mendoni se kjo marrëveshje po realizohet me sukses?

Iljaz Halimi: Në fakt, nuk ka suksese dhe të arritura në bazë të Marrëveshjes së Ohrit. Vërejtje ekzistojnë shumë, ka shumë ligje që janë miratuar nga parlamenti dhe qeveria, por nuk zbatohet. Shembull konkret është ligji për siguri në komunikacion që është miratuar para dy viteve. Ky ligj është pjesë e Marrëveshjes së Ohrit dhe që mundëson përdorimin e gjuhës shqipe në të gjitha sferat e komunikacionit. Mirëpo deri tani prej komunës së Likovës e deri në Strugë askund në shenjat e komunikacionit nuk është përdorur gjuha shqipe, apo nuk është respektuar dygjuhësia. Edhe disa ligje të tjera që janë miratuar nuk respektohen. Në Ministrinë e Brendshme, në disa raste dokumentet personale të shqiptarëve nga nënpunësit maqedonas nuk jepen në gjuhën shqipe. Edhe në këtë institucion në shumë raste nuk respektohet ligji.

Zëri i Amerikës: Cilat janë aktivitetet e opozitës shqiptare, konkretisht Partisë Demokratike Shqiptare, në kuadër të këtyre zhvillimeve politike në Maqedoni?

Iljaz Halimi: Ne do të shohim se si do të kalojë referendumi. Nëse ky organizim ka sukses, atëherë qeveria aktuale duhet të japë dorëheqje, për shkak se ashtu kanë pohuar zyrtarët e kësaj qeveria. Pastaj duhet të krijohen kushte për mbajtjen e zgjedhjeve te parakoshme parlamentare. Por për caktimin e këtyre zgjedhjeve duhet të vendosin institucionet përkatëse.//as

XS
SM
MD
LG